Botë

Sllovakia ia shet Rusisë 160,000 doza të vaksinës së saj Sputnik V

Sllovakia ia ka shitur Rusisë shumicën e vaksinave Sputnik V që i kishte blerë nga ajo, ka bërë të ditur të premten Ministria e Shëndetësisë e këtij shteti.

Kjo thuhet se është bërë për shkak të interesit të vogël të qytetarëve për t’i marrë këto vaksina, pas hezitimit disa mujor të qeverisë sllovake për t’i përdorur produktet që nuk janë të miratuara nga Rregullatori Evropian i Shëndetësisë.

Sllovakia, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, i ka kthyer mbrapshtë, duke i shitur në vendin e origjinës 160,000 nga 200,000 dozat e importuara në mars, me çmimin e njëjtë me të cilin i kishte blerë.

Aventura e Sllovakisë me Sputnikun ishte një dështim politik për atëkohë, kryeministrin Igor Matovic, i cili i kishte blerë vaksinat ruse pa u treguar partnerëve të koalicionit qeverisës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 10,500 qytetarë sllovakë tashmë kanë pranuar një dozë të Sputnikut derisa 8,000 i kanë pranuar të dy dozat.

Sllovakia ishte bërë shteti i dytë i BE-së, pas Hungarisë që ka përdorur vaksinën ruse, Sputnik V.