Botë

Kompania e Trumpit pritet të akuzohet për krime me taksat

Kompania e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, dhe shefi i saj i financave, pritet të akuzohen për krime të pretenduara në lidhje me taksat, raportojnë mediat amerikane.

Zyra e Prokurorisë së Manhatanit në SHBA pritet t’i paraqes akuzat kundër Organizatës Trump dhe Allen Weisselbert, të enjtën. Ende nuk dihet nëse ish-presidenti Trump do të jetë i përfshirë edhe personalisht në këto akuza.

Qyteti i New Yorkut ka ndërprerë ndërkohë të gjitha lidhjet biznesore me ish-presidentin, shkaku i këtyre dyshimeve të organeve të drejtësisë.

Organizata Trump është një kompani familjare e cila posedon hotele, klube të golfit dhe prona të tjera. Organizata ka qenë nën hetime për muaj të tërë, edhe nga Prokuroria e Manhatanit e po ashtu edhe nga Prokuroria e Përgjithshme e shtetit.

Akuzat të cilat do të paraqiten nga prokurori Cyrus Vance, do të fokusohen në atë nëse Weisselberg dhe zyrtarët e tjerë ekzekutiv në kompani, kanë pranuar benefite, si qira të apartamenteve ose qera të veturave të lëshuara për këtë qëllim, pa i raportuar ato dhe kësisoj, pa paguar taksa për këto përfitime.

Trumpi ka deklaruar se këto akuza janë të motivuara politikisht.

Mirëpo, nëse kompania shpallet fajtore, edhe partnerë të tjerë biznesorë që janë të lidhura me Organizatën Trump mund të përballen me gjoba.