Botë

Varianti “Delta” nxit çarje përbrenda BE-së për mbrojtjen e kufijve

Descriptive Text

Parisi dhe Berlini kanë shprehur shqetësime rreth fluksit të turistëve britanikë në Evropën Jugore dhe kanë bërë thirrje për përgjigje të koordinuar teksa varianti “Delta” i koronavirusit po e vazhdon avancimin përgjatë Kontinentit

Shtimi i rasteve të infektimit me variantin “Delta” të koronavirusit është duke i rindezur tensionet rreth menaxhimit të kufijve të jashtëm të Bashkimit Evropian.

Ndasitë, të cilat janë diskutuar gjerë e gjatë në fillim të pandemisë, janë shpërfaqur sërish gjatë samitit evropian të javës së shkuar në Bruksel, ka raportuar francezja “France24”.

Në njërën anë janë Gjermania dhe Franca që kërkojnë maturi përballë fluksit të turistëve britanikë që potencialisht mund ta bartin variantin “Delta”, të regjistruar fillimisht në Indi dhe dominues në Mbretërinë e Bashkuar. Në anën tjetër janë vendet jugore, si Spanja, Portugalia dhe Greqia, që janë të paduruara për t’i mbrojtur sezonet e tyre tejet të rëndësishme të turizmit, ka shkruar rrjeti ndërkombëtar televiziv i Francës.

Javën e kaluar, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka kritikuar Portugalinë për hapjen e kufijve të saj për turistët britanikë. Në mesin e majit, Portugalia u bë i vetmi shtet i Bashkimit Evropian që ka mirëpritur shtetasit nga përtej Kanalit. Por e ballafaquar me shtim të numrit të infeksioneve me variantin “Delta”, i cili është bërë aktualisht dominues në Portugali, Lisbona zyrtare është detyruar që t’i shtrëngojë masat. Autoritetet kanë zbatuar kufizime të reja shëndetësore të premten, duke e bërë të detyrueshëm karantimin 14-ditor për britanikët e pavaksinuar.

“France24” raporton gjithashtu se edhe Spanja po hedh hapa prapa dhe se do t’ua kërkojë tani dëshminë e testit negativ PCR britanikëve. Sikurse Portugalia, edhe Spanja u kishte shtruar qilim të kuq turistëve britanikë, të cilëve nuk u duhej as të paraqisnin teste PCR, njëjtë sikurse shtetasit e tjerë evropianë.

Për ta ngadalësuar përhapjen e variantit, i cili është shumë më i bartshëm sesa “Alpha” që ishte identifikuar fillimisht në Britaninë e Madhe, Merkeli kërkon që të shkohet edhe më tutje dhe të kufizohen kushtet për hyrjen në të gjithë zonën Schengen.

“Ky koordinim evropian ka fare pak shanse për sukses”, ka thënë Patrick Martin-Genier, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Parisit dhe ekspert i çështjeve evropiane. “Ekziston këtu një mospërputhje mes vendeve që duan ta ruajnë shëndetin publik dhe atyre që duan ta shpëtojnë sezonin turistik”, ka shtuar ai për “France24”.

Një tjetër vend që ka kundërshtuar masat nga mesi i vendeve evropiane është Greqia, e cila është e hapur për vizitorët që janë imunizuar me vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). Duke qenë tejet e varur nga turizmi, Greqia i lejon edhe ata vizitorë të huaj që kanë marrë qoftë edhe vaksinat ruse apo kineze.

“Pikësëpari, duhet që t’i njohim të njëjtat vaksina, ato që janë autorizuar nga EMA-ja dhe që janë plotësisht efikase ndaj varianteve të fundit, përfshirë atë ‘Delta’. Ky koordinim është po ashtu i nevojshëm në mënyrë që rregullat të harmonizohen në aspektin e hapjes së kufijve për vendet e treta; ky është çelësi që certifikatat evropiane të vaksinimit të jenë plotësisht efikase”, ka theksuar javën e kaluar presidenti francez, Emmanuel Macron.

Certifikatat evropiane të COVID-19 zyrtarisht hyjnë në fuqi këtë të enjte dhe do ta mundësojnë lëvizjen e lirë midis vendeve të BE-së. Ligjërisht secili shtet i Evropës është i lirë që të vendosë nëse të pranojë apo jo turistë që kanë marrë vaksina të tjera prej atyre të miratuara për përdorim në kontinent –“ Pfizer”, “Moderna”, “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”.

“Kemi parë se edhe mes Francës dhe Gjermanisë, veçmas në çështjen e punëtorëve ndërkufitarë, koordinimi jo gjithmonë është efikas”, ka thënë për “France24” Martin-Genier. “Kjo situatë duhet të na shtyjë që ta mendojmë shndërrimin e shëndetit publik në një përgjegjësi evropiane, por kjo do të jetë e mundur vetëm nëpërmjet reformës”.

Greqia të hënën i është nënshtruar presionit të BE-së dhe ka nisur që ta kërkojë testin PCR për turistët rusë, edhe nëse ata janë plotësisht të vaksinuar me kurën vendore “Sputnik V”.

Me gjithë këto përpjekje të koordinuara, Evropa po avancon drejt një tjetër sfide. Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve, varianti “Delta” pritet që të “përbëjë 90-përqindëshin e të gjitha rasteve me COVID-19 në BE deri në fund të gushtit”.

Ky paralajmërim u dha në kohën kur disa vende evropiane po përballen me ngadalësim të fushatave të vaksinimit. Në Francë, sipas “France24”, më shumë se 400 mijë persona janë vaksinuar përditë me dozat e para që gjatë fillimqershorit. Por javën e shkuar vetëm 200 mijë persona në ditë kanë marrë dozat e para.

Deri tani vetëm çdo i treti evropian është plotësisht i imunizuar. Ndërkaq synim i Komisionit Evropian vazhdon të jetë vaksinimi i 70 për qind të popullatës së rritur, deri në fund të korrikut.