Botë

Afera e spiunazhit: Çekia i kërkon kompensime Rusisë për shpërthimin e 2014-s

Zëvendësministri i Jashtëm, Martin Smolek, ia ka dorëzuar ambasadorit Aleksandr Zmeyevsky një notë proteste “duke u thirrur në përgjegjësinë e Federatës Ruse, sipas së drejtës ndërkombëtare, për përfshirjen në shpërthimin në depon e municioneve në Vrbetice, më 2014”. Liderët çekë kanë bërë të ditur, më 17 prill, se kanë dëshmi që aludojnë në pjesëmarrjen e dy agjentëve të Agjencisë ushtarake të spiunazhit rus në shpërthimin e depos, në të cilin të vdekur kanë mbetur dy persona

Ministria e Jashtme çeke ka thirrur të hënën ambasadorin e Rusisë në Pragë për konsultime, me ç’rast i ka kërkuar vendit të tij kompensimin e plotë të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i fuqishëm në një depo armësh, për të cilin Republika Çeke ka akuzuar zyrtarisht spiunët rusë.

Zëvendësministri i Jashtëm, Martin Smolek, ia ka dorëzuar ambasadorit Aleksandr Zmeyevsky një notë proteste “duke u thirrur në përgjegjësinë e Federatës Ruse, sipas së drejtës ndërkombëtare, për përfshirjen në shpërthimin në depon e municioneve në Vrbetice, më 2014”. Liderët çekë kanë bërë të ditur, më 17 prill, se kanë dëshmi që aludojnë në pjesëmarrjen e dy agjentëve të Agjencisë ushtarake të spiunazhit rus në shpërthimin e depos, në të cilin të vdekur kanë mbetur dy persona. Rusia ka hedhur poshtë përfshirjen në këtë rast.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike kërkesën çeke për kompensim, duke e cilësuar atë si përpjekje për zhvatje.

“Ata që veprojnë në mënyrë të këtillë, duke kërkuar pagesa nëpërmjet kërcënimeve dhe ofendimeve pa ndërmarrë hetime apo gjykim, janë zhvatës”, ka thënë ajo nëpërmjet një mesazhi.

Po të njëjtët rusë të akuzuar nga pala çeke janë paditur nga autoritetet britanike më 2018 lidhur me tentim-vrasjen e ish-spiunit rus, Sergei Skripal, dhe të bijës së tij me agjentin nervor të periudhës sovjetike, Novichok, në qytetin anglez Salisbury.

Gjetjet kanë rezultuar me një krizë serioze diplomatike ndërmjet Republikës Çeke dhe Rusisë, me ç’rast me dhjetëra diplomatë janë urdhëruar të largohen nga ambasadat e tyre respektive.

Në të njëjtën kohë, Ministria çeke ka kërkuar që Rusia ta zmbrapsë vendimin e muajit maj që e cilësonte Republikën Çeke, bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si vend të përfshirë në “veprime jomiqësore”. Ky veprim e kufizon numrin e stafit të angazhuar të vendit në operacionet e Ambasadës.

Ambasadori rus është informuar se një veprim i tillë përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare, në veçanti të Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike dhe të Traktatit midis Republikës Çeke dhe Federatës Ruse për Marrëdhënie Miqësore dhe Bashkëpunim.