Botë

Bideni u takua me liderët afganë në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, në një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani dhe presidentin e Këshillit të Lartë të Pajtimit Kombëtar, Abdullah Abdullah ka thënë se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre diplomatike, humanitare dhe të sigurisë.

Derisa SHBA-ja përgatitet të tërheqë plotësisht ushtarët e saj në Afganistan, Biden bisedoi me Ghani dhe Abdullah për të ardhmen e Afganistanit.

Biden foli përpara kamerave para takimit të mbajtur me dyer të mbyllura për mediat, ku theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj diplomatike për Afganistanin.

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë pas takimit u njoftua se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj diplomatike, humanitare dhe të sigurisë për Afganistanin.

Më tej u tërhoq vëmendja për rastet në rritje të COVID-19 në Afganistan dhe se SHBA-ja do t‘i dhurojë Afganistanit tre milionë doza të vaksinës Johnson & Johnson dhe se vazhdojnë përgatitjet për dërgimin e këtyre vaksinave.

Për luftën kundër pandemisë, SHBA-ja do të japë ndihmë shtesë për Afganistanin ndërsa në këtë vend do të dërgohet edhe ndihma humanitare prej 266 milionë dollarë, thuhet në deklaratë.