Botë

Chauvin dënohet me 22 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e George Floydit

Descriptive Text

Prokuroria kishte kërkuar fillimisht 30 vjet burgim, dyfish më shumë sesa 12 vjet e gjysmë sa parashihet në udhëzuesit e dënimit për një person që kryen kundërvajtjen e parë. Mirëpo gjykatësi Peter Cahill ka thënë se dënimin më të gjatë e justifikuan rrethanat rënduese, si fakti se Chauvini e kishte trajtuar Floydin me mizori gjatë arrestimit, kishte abuzuar me autoritetin e tij prej polici dhe se e kishte ushtruar këtë autoritet para fëmijëve

Ish-polici nga Minneapolisi, Derek Chauvin, është dënuar të premten me 22 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e afro-amerikanit George Floyd në majin e 2020-s, duke e përmbyllur procesin e tensionuar gjyqësor për rastin që kishte trazuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me shpërthimin e protestave të vrullshme kundër dhunës së tepruar policore dhe racizmit.

Juria në Minneapolis e kishte shpallur fajtor 45-vjeçarin Chauvin më 20 prill për vrasje të paqëllimshme të shkallës së dytë, vrasje të shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim të shkallës së dytë.

Prokuroria kishte kërkuar fillimisht 30 vjet burgim, dyfish më shumë sesa parashihet në udhëzuesit e dënimit për një person që kryen kundërvajtjen e parë.

Videoja e realizuar nga kalimtarët e rastit, në të cilën shpërfaqeshin pamjet e Chauvinit tek ia mbante gjurin në qafë Floydit të prangosur 46-vjeçar për më shumë se nëntë minuta, kishte nxitur zemërim të gjithmbarshëm nëpër botë dhe kishte shënuar momentin e shpërthimit të protestave më të mëdha kundër racizmit dhe dhunës së tepruar policore në SHBA, ndër dekada.

Në një dokument të dënimit, prokurorët nga zyra e përgjithshme e prokurorisë në Minnesota kanë shkruar se krimi i Chauvinit “ka dridhur ndërgjegjen e Kombit”.

Vendimi gjashtëfaqesh i dënimit, i përpiluar muajin e shkuar, ka specifikuar konstatimin e gjykatësit të Qarkut të Hennepin Countyt, Peter Cahill, se prokurorët kishin dëshmuar që ekzistojnë faktorë rëndues për t’ia shqiptuar policit të shkarkuar dënimin më të gjatë me burgim sesa që parashihet në udhëzues.

Udhëzuesi për dënime në Minnesota parasheh dënimin prej 12 vjetësh e gjysmë burgim, porse gjykatësi Cahill ka thënë se dënimin më të gjatë e justifikuan rrethanat rënduese, mes të cilave ka numëruar faktin se Chauvini e kishte trajtuar Floydin me mizori të theksueshme gjatë arrestimit, kishte abuzuar me autoritetin e tij prej polici dhe se e kishte ushtruar këtë autoritet para fëmijëve.

Avokati Eric Nelson ka bërë të ditur se klienti i tij kishte kërkuar që gjykatësi ta dënonte me kusht, duke shkruar se vrasja e Floydit ishte “përshkruar si gabim i bërë pa qëllim të keq”. Cahill e kishte hedhur poshtë gjithashtu kërkesën e Chauvinit për rigjykim.

Gjatë së premtes, familjarët e Floydit i janë adresuar trupit gjykues, duke e përshkruar dhembjen që kanë ndier për vrasjen e tij teksa kanë kërkuar dënimin maksimal për Chauvinin.

“Në emër timin dhe të të gjithë familjes, kërkojmë dënim maksimal. Nuk duam më të shohim raste të tilla. Këtë veçse e kemi kapërcyer”, ka thënë i përlotur Terrence Floyd, njëri nga vëllezërit e viktimës.

Sipas ligjeve në fuqi në Minnesota, po qe se Chauvini demonstron sjellje të mira gjatë burgimit, atëherë ai mund të falet pas shërbimit të dy të tretave të dënimit.