Botë

Hondurasi bëhet shteti i katërt me ambasadë në Jerusalem

Descriptive Text

Shteti i Hondurasit ka hapur të enjten ambasadën e vet në Jerusalem, duke u bërë shteti i katërt që ndjek Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të lëvizur zyrat e misionit diplomatik në Izrael nga Tel Avivi.

Për të shënuar lëvizjen, presidenti i Hondurasit, Juan Orlando Hernandez, dhe kryeministri i ri izraelit, Naftali Bennett, nënshkruan disa marrëveshje bilaterale.

Izraeli e sheh të gjithë qytetin e Jerusalemit si kryeqytet unik të vetin, ndërsa palestinezët e duan Jerusalemin lindor si kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Përplasjet e vazhdueshme ishin në zemër të trazirave që shpërthyen në prill e maj.

SHBA-ja inauguroi ambasadën e saj në këtë qytet më 2018, në kohën sa president ishte Donald Trumpi. Pas saj, vendimin e ndoqën vetëm dy shtete tjera, Guatemala dhe Kosova, ndërsa tash është shtuar Hondurasi.

Paraguai e hapi ambasadën në Jerusalem më 2018, por më vonë i ra pishman.

Shumica e ambasadave mbesin në Tel Aviv për shkak të statusit diskutabil të Jerusalemit.