Botë

Njësiti me patina i policëve antiterrorizëm

Përgjegjësia e grupit me patina është mbikëqyrja kundër terrorizmit në hapësirat publike, përfshirë parqet dhe stadiumet e kriketit. Policia me patina – që ka numër të barabartë pjesëtarësh burra e gra – ka mbrojtur zyrtarët e profilit të lartë dhe ka arrestuar disa persona, duke e përmirësuar kështu shkallën e reagimit të forcës në skenat e krimit

Syeda Aiman ka mësuar të gjuajë me armë teksa lëviz me patina. Nuk është hokeiste, por police e njësitit antiterrorizëm në Pakistan.

Gazeta njujorkeze “The New York Times” ka shkruar një reportazh të gjatë për njësitin e veçantë prej 20 anëtarësh, i cili kryen kontrolle kundër terrorizmit dhe shërben si forcë policie e komunitetit në Pakistan.

“Këto dy punë i kryen në patina. Njësiti ka numër të barabartë të pjesëtarëve gra dhe burra. Dy faktet janë të rralla në qytetin me 15 milionë banorë, ku rrugët janë të shkatërruara dhe çdo institucion dominohet nga burrat”, shkruan “The New York Times”.

Zyrtarët policorë thonë se njësiti i cili u prezantua para publikut në muajin dhjetor është një sukses për shtetin. Kritikët e cilësojnë si mashtrim. Porse banorët e kryeqytetit Karachi pranojnë se e kanë parë si të çuditshëm faktin se policët me patina mbikëqyrin nëpër qendra tregtare.

“Është koncept i ri për publikun”, thotë 25-vjeçarja Aiman, duke folur për NYT-në. “Kur filluam kontrollin me patina ishim të gëzuar, por edhe kishim nervozë nga frika se mund të rrëzoheshim. Mirëpo kjo frikë zhduket sapo të dilni në terren”.

Në një farë mase, njësiti përbën kundërpërgjigje ndaj krizave për marrëdhëniet me publikun. Departamentet e policisë në Pakistan janë ndër “institucionet më të frikshme qeveritare, të përballura me akuza të shumta dhe janë më pak të besuara”, kishte bërë të ditur grupi Human në një raport të vitit 2016.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, u ngrit në pushtet në vitin 2018, pjesërisht me premtimin për të ndërmarrë reforma policore.

Korrupsion i lartë

Sipas gazetës amerikane, gjatë muajit qershor, nëntë oficerë policie u pezulluan në qytetin lindor Lahore pasi burgosën punonjës të një restoranti që nuk kishte pranuar t'u jepte hamburgerë falas. Shumë njerëz e panë incidentin si shenjë se korrupsioni policor ishte ende i shfrenuar.

“Frika dhe mosbesimi ndaj policisë janë të mëdha në Karachi. Disa oficerë janë akuzuar për vrasjen e civilëve në incidente të inskenuara. Në një rast të profilit të lartë, hetimet policore zbuluan dy vjet më parë që oficerët e Karachit kishin vrarë një model të talentuar dhe tre të tjerë, pastaj pretenduan në mënyrë të rreme se viktimat ishin militantë. Shefi përgjegjës për aksionin, Rao Anwar, tani po gjykohet për vrasje”, shkruan gazeta prestigjioze.

Maqsood Ahmed, zëvendësinspektor i përgjithshëm në Policinë Rajonale të Sindh, thotë se njësiti i re me patina ishte projektuar pjesërisht për t’i adresuar kritikat se oficerët e policisë në Karachi nuk dinin të komunikonin me qytetarët. Policët me patina, thotë ai, kanë ndihmuar për ta lehtësuar gjendjen shpirtërore” nëpër qendrat tregtare dhe vendet e tjera familjare të cilat ata i mbikëqyrin.

“Njerëzit duhet ta ndiejnë se janë miqtë tanë dhe janë këtu për të na mbrojtur”, thotë Ahmed.

Mirëpo, policët me patina nuk shërbejnë vetëm për të krijuar miqësi.

Ahmedi thotë se përgjegjësia e grupit me patina është mbikëqyrja kundër terrorizmit në hapësirat publike, përfshirë parqet dhe stadiumet e kriketit. Shton se policët me patina kanë arrestuar disa persona, duke përmirësuar shkallën e reagimit të forcës në skenat e krimit dhe kanë mbrojtur zyrtarët e profilit të lartë, përfshirë kryeministrin Khan dhe presidentin Arif Alvi.

Beteja kundër terrorizmit

Aiman, që iu bashkua Policisë së Sindhit dy vjet më parë, thotë se është angazhuar shumë në njësitin antiterrorizëm, të cilit dhe i përket grupi me patina. Si vajzë, i kushtoi shumë vëmendje operacionit të ushtrisë pakistaneze ndaj kryengritësve në zonat fisnore, ndërkaq dikur ishte vullnetare për panairin e armëve që mbahej në Karachi.

“Besoj se terroristët e meritojnë të vdesin”, thotë ajo teksa bën kafjall në apartamentin e saj. “Duhet t’i vrasësh. Nuk e meritojnë të jenë gjallë”.

Qytetet në Britani të Madhe, Francë, Holandë dhe gjetkë kanë krijuar njësitë policore me patina, por rezultatet kanë qenë të përziera.

Mudassir Ali, komando policie i Njësitit Special të Sigurisë në Sindh, i cili ka trajnuar oficerë për njësinë me patina, thotë se modeloi grupin duke u frymëzuar nga shtetet e Perëndimit.

Ali thotë se ata me patina zakonisht punojnë me policinë rrugore. Njësiti ishte trajnuar që të kërcente dhe ngjiste shkallët në “zonat që nuk kanë rrugë ose infrastrukturë të mirë rrugore”.

Ani pse ky njësit kryesisht ndihmon në ruajtjen e rendit publik nëpër qendra tregtare dhe zona të ushqimit në rrugë, ai thotë se grupi është i armatosur dhe i gatshëm për t’i qëlluar kriminelët po qe se shfaqet nevoja.

“Mund të mbahemi edhe në një veturë që lëviz me 120 kilometra në orë”, thotë ai.

Skepticizëm i madh

Image

Ama, jo të gjithë janë të mahnitur me njësitin e patinave.

Jasim Rizvi, banor i klasës së mesme në Karachi, thotë se njësiti i patinave është mashtrim i publikut.

“Ndoshta policët nuk kishin çfarë të bënin dhe vendosën t’i mbathnin patina”, thotë Rizivi. “Policinë e shoh duke vepruar vetëm kur shoqërojnë të ashtuquajturit ‘VIP’-a”.

Mbathja e patinave për të përmirësuar marrëdhëniet midis policisë dhe komunitetit mund të ketë kuptim në Karachi, por jo nëse janë të armatosur, thotë Zoha Waseem, hulumtuese në “Institute for Global City Policing” në Kolegjin Universitar të Londrës.

Ka pak prova nga qytetet e tjera se policët me patina kanë ndihmuar forcat policore në luftën kundër krimit, shton ajo. Gjithashtu, Karachi është i mbushur me gropa.

“Për këtë shkak është e vështirë ta cilësosh këtë iniciativë si diçka më shumë sesa propagandë policore”, thotë ajo. “Nuk e di se sa mund të qëndrojnë dhe pyes veten nëse ky buxhet ka mundur të shpenzohet më mirë diku tjetër”.

Ahmed thotë se njësiti kishte një qëllim tjetër përtej angazhimit në komunitet dhe luftës kundër krimit: fuqizimin e grave.

Shumica e policëve janë gra që vijnë nga zonat e varfra të krahinës Sindh. Veshja e tyre është e bazuar në merita dhe janë të qepura për të luftuar seksizmin e rrënjosur në familjet pakistaneze.

“Themi se duhet të ketë barazi mes burrave dhe grave në vendet e punës, por kjo nuk është e mundur për shkak të çështjeve kulturore”, thotë ai.

Ngacmimet seksuale

Gratë që ecin të vetme në Pakistan tërheqin shikime, ose më keq; ngacmimet seksuale janë të zakonshme në vendet e punës dhe shteti ka një prej boshllëqeve më të thella gjinore sa u përket pagave. Kryeministri Khan ishte përballur me akuza në prill, kur tha se rastet e dhunës janë shpeshtuar për shkak të mënyrës së veshjes së grave.

Aiman, e rritur në Karachi, thotë se është stërvitur me njësitin e patinave. Mësoi për përdorimin e autoritetit dhe shmangien e situatave në të cilat njerëzit do të përfitonin nga ajo për shkak të gjinisë.

“Mënyra se si njerëzit i shikojnë burrat dhe gratë është krejt ndryshe, sidomos policet me patina”, thotë ajo.

Patina është fort në modë në lagjet e klasës së mesme, por Aiman thotë se nuk dinte për ekzistencën e tyre derisa një ditë kolegu ia sqaroi krejt aktivitetin që e bënin.

Familjarët kishin dyshime për këtë punë dhe thotë se u lëndua disa herë gjatë stërvitjeve. Mirëpo, pas dy javësh, po lëvizte lirshëm në turmën e stadiumit të kriketit dhe vendeve të tjera publike. Mbante vështrim vigjilent kundrejt turmave dhe pistoletën e kishte gati në bel.

“Trajnimi ishte shumë i mirë. Kur jemi në patina, jemi në kontroll dhe mbajmë fort armët tona”, thotë Aiman.

Tani miqtë duan të mësojnë për patinat. Prindërve, vëllezërve dhe motrave po u pëlqen ideja se brenda familjes kanë police me patina. Ditën tjetër u befasuan – dhe u mahnitën – kur panë tek i ngjiste shkallët me patina në këmbë.

“Më thanë që t’i ngjisja shkallët përsëri, për t’u siguruar për lëvizjet e mia”, thotë Aiman.

Përgatiti: Gent Mehmeti