Botë

Departamenti i Drejtësisë tërheq padinë kundër John Boltonit për librin

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hequr dorë nga padia kundër John Boltonit, ish-këshilltarit afatshkurtër të presidentit Donald Trump për sigurinë kombëtare, mbi librin e tij që zyrtarët argumentuan se zbuloi informacion të klasifikuar, sipas dokumenteve të gjykatës dhe përfaqësuesve ligjorë të Boltonit.

Prokurorët gjithashtu pezulluan një hetim të jurisë së madhe mbi botimin e librit, tha avokati i Boltonit.

Administrata e ish-presidentit Trump ngriti padi vitin e kaluar për të bllokuar botimin e librit të Boltoni, "Dhoma ku ndodhi" dhe për të rimarrë kopjet e librit që ishte shpërndarë tashmë. Libri, i botuar në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ofroi detaje prapa kuintave dhe vlerësime jo të mira të marrëdhënieve të Trumpit në politikën e jashtme. Aty përshkruhej se si Trumpi i kërkoi Presidentit të Kinës Xi Jinping të ndihmonte perspektivat e rizgjedhjes së tij dhe se si Trumpi i bëri presion homologut të tij ukrainas për hetime me natyrë politike.

Avokatët e Departamentit të Drejtësisë që paditën Boltonin për librin kishin këmbëngulur që dorëshkrimi përmbante informacione të klasifikuara që mund të dëmtonin sigurinë kombëtare dhe se Boltoni, një ish-ambasador i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, nuk kishte përfunduar një proces shqyrtimi para publikimit të projektuar për të parandaluar zbulimin e sekreteve qeveritare.

Të mërkurën, administrata Biden paraqiti një dokument në gjykatën federale duke hequr dorë nga padia, duke i dhënë kështu fund zyrtarisht betejës njëvjeçare të gjykatës. \ Voa