Botë

Pandemia shembi klasën e mesme të Indisë

Descriptive Text

Klasa e mesme në Indi vlerësohet se përbëhet nga 200 milionë deri në 600 milionë njerëz, ndërkaq të gjithë ekspertët pajtohen se prosperiteti i kësaj shtrese është jetësor në ringjalljen e ekonomisë së Indisë.

Ram Babu u zhvendos nga fshati i tij në kryeqytetin indian New Delhi në 1980, për të pastruar makinat. Shumë shpejt mësoi të drejtonte veturën dhe u punësua si shofer autobusi. Dekada më vonë, krijoi kompaninë e tij “Madhubani Tours and Travels”.

Në marsin e vitit 2020, izolimi i rreptë mbarëkombëtar për të luftuar pandeminë e koronavirusit ngriu aktivitetin ekonomik brenda natës. Biznesi i Babut u shemb dhe ai ktheu familjen përsëri në fshat.

“Që nga marsi i vitit të kaluar, ne nuk kemi fituar asnjë rupi”, thotë ai. “Të tre autobusët e mi qëndrojnë në vend për më shumë se një vit. Ne jemi thyer plotësisht ”.

Ekonomia e Indisë kishte nisur të rimëkëmbej nga vala e parë e pandemisë, por u godit nga një valë e re e infeksioneve, duke lënë të vdekur mijëra njerëz. Miliona indianë u ngujuan nëpër shtëpitë e tyre. Rastet në javët e fundit kanë nisur të pakohen, por perspektiva për shumë indianë është prishur. Vendet e punës janë shuar, të ardhurat janë pakuar, ndërsa është shtuar pabarazia.

Dekadat e progresit në zbutjen e varfërisë janë rrezikuar nga vala e dytë e pandemisë, thonë ekspertët, dhe ringjallja ekonomike varet nga fati i shtresës së mesme të vendit. Shtresa e mesme është një grup i fuqishëm dhe i larmishëm duke filluar nga punonjësit me rrogë e deri te pronarët e bizneseve të vogla si Babu: shumë miliona njerëz që përpiqen të ruajnë paratë e fituara me shumë vështirësi.

Image
Izolimi i vitit të kaluar shoi më shumë se 120 milionë vende pune në Indi

Rënia ekonomike

Shpërthimi i pandemisë shkaktoi rënien më të keqe ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve 1930 dhe teksa ka nisur të ngrihet, shumë biznese kanë nisur të forcohen. Banka Botërore ka parashikuar 5.6% rritje globale për 2021, më e mira që nga 1973.

Ekonomia e Indisë është tkurrur për 7.3% në vitin fiskal që përfundoi në mars, duke u përkeqësuar nga një rënie që ndali rritjen në 4% nga 8% në dy vjetët para goditjes pandemike. Ekonomistët kanë frikë se nuk do të ketë kthim të ngjashëm me ato që shihen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ekonomitë e tjera të mëdha.

“Koronavirusi ishte pjesë e serisë së goditjeve ndaj ekonomisë së Indisë në vitet e fundit”, thotë Mahesh Vyas, shefi ekzekutiv në Qendrën për Monitorimin e Ekonomisë Indiane (CMIE). “Mirëpo goditjet nga virusi kanë pasur një efekt shumë të madh në ekonomik dhe frikësohem se do të zgjasë”.

Ekonomia ishte një nga sektorët me rritje më të shpejtë kur kryeministri Narendra Modi hoqi nga qarkullimi pjesën më të madhe të monedhës së Indisë në vitin 2016, në betejën kundër korrupsionit. Pasoi nga një reformë e madhe e taksave, ngërçet e së cilës ende ndihen. Programi kryesor i Modit: prodhimi në Indi nuk shkoi mirë dhe papunësia nisi të rritej.

Vuajtja e të varfëve

Të varfrit po vuajnë më së shumti nga pandemia. Ama, kjo është hera e parë në dekadat e fundit që klasa e mesme e Indisë është nokautuar, thotë Vyas.

Pas 40 vjetësh pune të vështirë, pronari i kompanisë turistike Babu po merrte në shtëpi rreth 2 mijë dollarë në muaj. Biznesi po i ecte aq mirë sa mori një tjetër kredi për të blerë autobusin e tretë.

Në maj të vitit 2020, përdori një nga autobusët për të kthyer në fshat gruan dhe tre fëmijët e tij. Bihari është një nga shtetet më të varfra në Indi. Babu nuk mund të përballonte qiranë e apartamentit modest me një dhomë gjumi në New Delhi.

Klasa e mesme në Indi vlerësohet se përbëhet nga 200 milionë deri në 600 milionë njerëz, ndërkaq të gjithë ekspertët pajtohen se prosperiteti i kësaj shtrese është jetik në ringjalljen e ekonomisë së Indisë.

“Ata janë konsumatorët kryesorë - nëse konsumi i tyre nuk ringjallet, rritja do të vazhdojë të jetë e ngadaltë dhe ekonomia nuk do të rimëkëmbet”, thotë ekonomisti Arun Kumar.

Një analizë nga Qendra Kërkimore Pew, botuar në muajin mars, vlerëson se 32 milionë indianë janë larguar nga klasa e mesme shkaku i pandemisë.

Raporti përcaktoi klasën e mesme si njerëz që fitojnë 10 deri në 20 dollarë në ditë. Raporti vlerësoi se numri i të varfërve të Indisë - ata me të ardhura prej 2 dollarësh ose më pak në ditë - është rritur për 75 milionë njerëz për shkak të krizës së pandemisë.

Për të zbutur ndikimin, qeveria siguroi 266 miliardë dollarë në shpenzime shtesë në maj të vitit 2020, me mbi 40 miliardë dollarë për të ndihmuar bizneset e vogla dhe të mesme përmes masave si hua pa kolateral nga bankat. 36 miliardë dollarë të tjera u premtuan në nëntor për të ndihmuar krijimin e vendeve të punës, rritjen e shpenzimeve të konsumatorëve dhe mbështetjen e prodhimit, bujqësisë dhe eksporteve.

Por për shumë, masat nuk kanë qenë të mjaftueshme. Asnjë lehtësim nuk është konfirmuar për sektorin e turizmit, kështu që Babu është ende duke paguar taksat e biznesit për autobusët e tij.

Image
Palestrat ishin ndër llojet e fundit të vendeve të punës të lejuara të rihapen pas izolimit të vitit 2020. Ato u mbyllën përsëri gjatë valës së dytë të pandemisë së koronavirusit

Shuarja e punës

Izolimi i vitit të kaluar shkatërroi më shumë se 120 milionë vende pune. Shumë u kthyen shpejt pasi bllokimi mbaroi në qershor, por kthimi ishte kryesisht i vendeve me pagesa të ulëta në sektorë si bujqësia dhe ndërtimi.

Ekonomistët shqetësohen për një rënie afatgjatë të vendeve të punës me paga, nga të cilat 12.5 milionë mbeten të humbura, sipas të dhënave të CMIE-së, dhe për fatin e bizneseve të vogla dhe të mesme që janë shtylla kurrizore e ekonomisë së gjerë joformale të Indisë.

Shumë njerëzve u është dashur të vendosen për punë shumë më të pasigurt se më parë, sipas raportit të Shtetit të Punës India 2021 nga studiuesit në Universitetin Azim Premji.

“Ajo që sinjalizon kjo është se njerëzit në gjendje të vështirë duhet të përdorin çdo lloj punësimi, edhe nëse paguhen shumë më pak sesa ato që bënin dikur dhe këto punë vijnë edhe me më pak siguri”, thotë Rosa Abraham, një nga autoret e raportit. “Është e qartë se rimëkëmbja e punësimit që po shohim tani karakterizohet në një masë të konsiderueshme nga shumë më shumë informalitet”.

Kjo është e vërtetë për Bijender dhe Kanika Gautam, pronarë të Ultra Bodies Fitness Studio në periferi të New Delhit.

Palestrat ishin ndër llojet e fundit të vendeve të punës të lejuara të rihapen pas izolimit të vitit 2020. Ato u mbyllën përsëri gjatë valës së dytë të pandemisë së koronavirusit. Familja Gautam ishin të kënaqur nga të ardhurat e 100 anëtarëve të palestrës së tyre. Ata fituan mjaftueshëm sa për të paguar qiranë e objektit dykatësh dhe për të paguar pesë trajnerë. Tani, ata janë duke u mbështetur në gjithçka që mund të fitojnë së bashku duke ofruar trajnime online të fitnesit dhe duke luftuar për të përballuar qiranë dhe pagesat shkollore për dy fëmijët e tyre.

“Më herët, nuk duhej të mendonim dy herë për të shpenzuar para kur shkonim në treg me fëmijët tanë ose dilnim për të ngrënë”, thotë Bijender. “Por tani, situata është aq e keqe saqë ne disi po përpiqemi të mbijetojmë. Ne nuk e dimë nëse do të jemi në gjendje të mbajmë biznesin tonë”, thotë ai.

Në një shkallë më të gjerë, pengesa të tilla mund të minojnë besimin dhe rritjen e ardhshme, thotë Vyas i CMIE.

“Ju duhet ajo aspiratë ose vozitje për të shkuar në kolegj, për të gjetur një punë të mirë, për të kursyer para për të blerë një shtëpi - keni nevojë për atë ambicie për ta bërë jetën tuaj më të mirë sesa kishin prindërit tuaj. Kjo është ajo që e bën ekonominë të lulëzojë, dhe kjo është një gjë thelbësore që ka marrë një goditje të madhe nga pandemia” shton ai.

Babu thotë se ka frikë se jeta e tij tani do të kthehet mbrapsht. Kishte shpresuar që vajza e tij e vogël, 13 vjeç, të bëhej pilote. Tani që atij iu desh ta tërhiqte nga shkolla e saj në New Delhi, kjo duket e pamundur.

Ëndrrat e tij për të blerë një shtëpi në qytet janë shtypur nga kreditë që ai nuk mund t'i shlyejë më, thotë ai.

“Tani nuk jam mësuar të jetoj në fshat. Gjithçka që kemi, gjithçka që jemi, e gjitha është në Delhi ”, thotë Babu. “Po të kisha vazhduar të punoja si shofer, mbase nuk do të isha në këtë rrëmujë”.

Përktheu: Gent Mehmeti