Botë

Lirohen dy gazetarët holandezë të marrë peng në Kolumbi

Descriptive Text

Dy gazetarë holandezë të rrëmbyer javën e kaluar nga rebelët në Kolumbi janë lënë të lirë, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare. Derk Bolt dhe Eugenio Follender i janë dorëzuar një delegacioni të zyrës së Avokatit të Popullit.

Rebelët e fraksionit ELN, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, deklaruan se i kishin liruar ata ditën e premte, por pak më vonë e tërhoqën njoftimin. Veprimi i tyre krijoi shqetësime për bisedimet e paqes mes rebelëve dhe qeverisë. Sidoqoftë, dy gazetarët holandezë u liruan në një zonë rurale në rajonin Katatumbo, në afërsi të kufirit me Venezuelën.

Ministri i Jashtëm holandez, Bert Koenders mirëpriti lirimin duke e cilësuar një “lajm shumë të mirë” dhe falenderoi autoritetet kolumbiane të cilat punuan për të arritur këtë qëllim. Foto të publikuara nga Avokati i Popullit në Kolumbi tregonin holandezët të shoqëruar nga luftëtarë të armatosur të ELN-së që i dorëzoheshin delegacionit civil.

Zyra e Avokatit të Popullit në Kolumbi, e njohur si Defensoria del Pueblo de Colombia, është një zyrë qeveritare kombëtare që mbikëqyr mbrojtjen e të drejtave të njeriut.