Botë

Britania e Madhe nuk është e sigurt se do të përfundojë mbylljen më 21 qershor

Ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka thënë të dielën se është shumë herët të thuhet nëse Qeveria do të vendosë që të lehtësojë masat anti-COVID nga 21 qershori.

Hancock ka deklaruar se varianti indian i koronavirusit ka pasur ndikim të madh në Britani të Madhe, e po ashtu në tërë Evropën.

Ai ka vënë theksin tek shtimi i rasteve me COVID-19 si pasojë e variantit delta, mirëpo ka deklaruar se megjithatë është i qetë, meqë ka rënie të vdekjeve dhe hospitalizimeve.

“Është shumë herët të marrim një vendim përfundimtar nëse vendi do të hapet nga 21 qershori”, ka thënë për Sky News, Hancock.

Ministri Hancock ka deklaruar se është e rëndësishme që shumë njerëz tashmë kanë marrë të dy dozat e vaksinës kundër COVID-19 dhe se kjo mund t’i mbrojë ata nga varianti delta.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, Britania e Madhe ka 127,836 të vdekur si pasojë e koronavirusit që kur ka nisur pandemia.