Botë

Kryepeshkopi gjerman ofron dorëheqjen pas rasteve me abuzim seksual në Kishë

Descriptive Text

Kleriku i lartë katolik romak i Gjermanisë, kardinali Reinhard Marx, i ka ofruar Papës dorëheqjen për shkak të skandaleve të abuzimit seksual të fëmijëve të Kishës.

"Është e rëndësishme për mua të ndaj përgjegjësinë për katastrofën e abuzimit seksual nga zyrtarët e Kishës gjatë dekadave të fundit", ka thënë ai në një letër drejtuar Papa Françeskut.

Ai është kryepeshkop i Mynihut. Papa është ende duke shqyrtuar kërkesën e tij.

Papa Françesku ka dërguar dy peshkopë në Koeln për të hetuar rastet e abuzimit.

Në vitin 2018, një studim i porositur nga vetë Kisha zbuloi se më shumë se 3.600 fëmijë në Gjermani ishin sulmuar seksualisht nga priftërinjtë katolikë romakë midis viteve 1946 dhe 2014.

Vetëm 38% e autorëve të dyshuar u ndoqën penalisht, me pjesën më të madhe që përballen me procedura të vogla disiplinore. Rreth një në gjashtë raste përfshinte përdhunim. Shumica e viktimave ishin djem, dhe më shumë se gjysma ishin të moshës 13 vjeç ose më të rinj.

Në letrën e tij, kardinali Marks ka thënë se hetimet në vitet e fundit kishin zbuluar "shumë dështime personale dhe gabime administrative" por gjithashtu "dështime institucionale ose sistematike" në lidhje me abuzimin seksual të fëmijëve.

Letra e kryepeshkopit të Mynihut mban datën 21 maj. Papa i ka kërkuar atij të qëndrojë si kryepeshkop në pritje të një vendimi mbi kërkesën e tij të dorëheqjes.