Botë

Afera e spiunimit: Norvegjia thërret në konsultime zyrtarin e Ambasadës amerikane

Descriptive Text

Nga ana tjetër, kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg, ka thënë për agjencinë shtetërore të lajmeve NTB se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin siguruar “qartazi” se i kanë ndryshuar gjatë 2014-s praktikat lidhur me monitorimin e aleatëve

(DW-Reuters) – Qeveria norvegjeze ka thirrur të enjten për konsultime një zyrtar të Ambasadës amerikane lidhur me pretendimet për spiunazh ndaj liderëve botërorë.

Transmetuesi danez DR kishte raportuar të dielën se spiunë danezë kishin bashkëpunuar me homologët e tyre amerikanë për përgjimin e liderëve politikë dhe zyrtarëve në Gjermani, Francë, Suedi dhe Norvegji.

Në mesin e të shënjestruarve për përgjime ishin kancelarja gjermane, Angela Merkel, ministri i mëhershëm gjerman i Punëve të Jashtme, Frank-Walter Steinmeier, dhe ish-lideri opozitar gjerman, Peer Steinbrück.

Ndërhyrja është zbardhur me anë të një hulumtimi të brendshëm të kryer që nga 2014-a prej Shërbimeve daneze të Inteligjencës së Mbrojtjes (FE) lidhur me bashkëpunimin e njerëzve të saj me Agjencinë amerikane të Sigurisë Kombëtare (MSA).

DR-ja, duke cituar burime anonime të afërta me qarqet e Inteligjencës, ka raportuar se bashkëpunimi ka ndodhur midis viteve 2012 dhe 2014.

Gjatë së enjtes, kryeministrja norvegjeze, Erna Solberg, ka thënë për agjencinë shtetërore të lajmeve NTB se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin siguruar “qartazi” se i kanë ndryshuar gjatë 2014-s praktikat lidhur me monitorimin e aleatëve.

“Jam e lumtur se amerikanët kanë shprehur qartazi se i kanë ndryshuar këto praktika dhe se do të bashkëpunojnë me ne dhe me të tjerët për të kuptuar se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Solberg.

Ministri i Mbrojtjes, Frank Bakke-Jensen, ka shkruar në Twitter se ministria e tij ka mbajtur një takim me zyrtarë të Ambasadës amerikane në Oslo.

“Kemi bërë të qartë se spiunimi i aleatëve është i papranueshëm dhe i panevojshëm”, ka thënë ai, duke shpalosur pjesë nga diskutimet gjatë takimit.

Ambasada amerikane në kryeqytetin norvegjez nuk i ka komentuar këto pretendime.

Solberg ka thënë se ka zhvilluar bisedime të ndara me homologun e saj danez, Mette Frederiksen, lidhur me rastin.

Norvegjia dhe Danimarka, anëtare në NATO, janë aleatë të afërt të SHBA-së. Danimarka është nikoqire e disa stacioneve kyç për kabllot e internetit të shtrira në det dhe nga Suedia, Norvegjia, Gjermania, Holanda dhe Britania e Madhe.

Transmetuesi danez DR kishte raportuar të dielën se NSA-ja amerikane kishte shfrytëzuar kabllot daneze të informimit për t’i përgjuar zyrtarët e vendeve aleate.