Botë

Netanyahu e quan “mashtrim të shekullit” koalicionin opozitar për Qeverinë

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka reaguar lidhur me arritjen e marrëveshjes së koalicionit mes partive opozitare për formimin e Qeverisë së re, e cila do të largonte atë nga posti të cilin e mban tash e 12 vjet.

Netanyahu ka kërkuar nga anëtarët e krahut të djathtë në Parlament që të bllokojnë koalicionin opozitar në këtë drejtim.

Të mërkurën më mesnatë, tetë fraksione opozitare politike në Izrael kanë arritur marrëveshjen për të punuar së bashku në qeverinë e re. Mirëpo, ky koalicion ka nevojë për votat e Parlamentit për të marrë përfundimisht në dorë Qeverinë.

Në deklaratën e tij të parë pas kësaj marrëveshjeje, Netanyahu ka kërkuar nga parlamentarët izraelitë të krahut të djathtë që të kundërshtojnë me votën e tyre koalicionin.

Ai e ka quajtur këtë koalicion “mashtrimi i shekullit”, duke deklaruar se ai rrezikon shtetin dhe popullin izraelit.

Analistët politikë kanë paralajmëruar se Netanyahu, i cili ka dështuar të krijojë Qeverinë pavarësisht se ka fituar më së shumti ulëse në Kuvend nga zgjedhjet e marsit, do të provojë të ndalojë krijimin e Qeverisë nga partitë opozitare.