Botë

OBSH-ja miraton vaksinën e dytë kineze - “Sinovac”

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar të martën vaksinën e dytë kineze kundër COVID-19, të prodhuar nga “Sinovac Biotech”, për përdorim emergjent, duke i hapur rrugën administrimit të kurës në vendet më të varfra.

Përfshirja e vaksinës në listën e përdorimit emergjent të OBSH-së përbën një sinjal adresuar rregullatorëve kombëtar mbi sigurinë dhe efikasitetin e produktit, ndërkaq e mundëson përfshirjen e Sinovacut në programin COVAX për furnizimin me vaksina të vendeve të varfra. Paneli i ekspertëve të pavarur i OBSH-së ka bërë të ditur gjatë njoftimin se e rekomandon përdorimin e vaksinës së dytë kineze për të rriturit mbi 18 vjeç.

Nuk është caktuar ndërkaq një kufizim më i lartë moshe, meqë të dhënat kanë sugjeruar se kura ofron ndikim mbrojtës te më të moshuarit. Grupi teknik këshillues i OBSH-së, që ka nisur takimet rreth çështjes qysh më 5 maj, vendimin në favor të vaksinës e ka marrë pas rishikimit të të dhënave më të fundit nga testimet klinike mbi sigurinë dhe efikasitetin e saj.

Duke e përshëndetur vendimin, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka theksuar se lehtësia e ruajtjes së kësaj vaksine e bën atë të përshtatshme për shpërndarjen në vendet me të ardhura më të ulëta.