Botë

OBSH-ja riemërton variantet e koronavirusit me shkronja greke

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur të martën se ka vendosur të zbatojë një sistem të ri për emërimin e varianteve të koronavirusit.

Prej tani e tutje, OBSH-ja ka njoftuar se do të përdorë shkronjat greke për identifikimin zyrtar të varianteve.

Sipas këtij ndryshimi, varianti britanik i koronavirusit është emërtuar si Alfa, ai i Afrikës së Jugut si Beta, ndërsa varianti indian si Delta.

Në fillim të këtij muaji, Qeveria në Indi e kishte kritikuar emërtimin e variantit B.1.617.2 - të zbuluar për herë të parë në Indi, gjatë tetorit të kaluar - si “variant indian”, ndonëse OBSH-ja nuk e ka etiketuar kurrë zyrtarisht si të tillë.

“Asnjë vend nuk duhet të stigmatizohet për zbulimin dhe raportimin e varianteve”, ka thënë Maria Van Kerkhove, epidemiologe në OBSH, duke e shpalosur vendimin për emërtime.

Ajo ka bërë thirrje gjithashtu për një “mbikëqyrje të fuqishme” të varianteve dhe për ndarjen e të dhënave shkencore, të cilat do të ndihmonin në ndalimin e përhapjes së koronavirusit.

Shkronjat greke do t'u referohen edhe varianteve shqetësuese, por edhe varianteve të interesit.

Një listë e plotë e emrave është publikuar tashmë në faqen e Internetit të agjencisë së OKB-së për shëndetësi.

Megjithëkëtë, Van Kerkhove ka thënë se shkronjat greke nuk do t’i zëvendësojnë emrat ekzistues shkencorë. Nëse zyrtarisht identifikohen më shumë se 24 variante, shkronjat greke do të mbarojnë dhe OBSH-ja do të shpallë një program të ri të emërtimit, ka shtuar Van Kerkhove.