Botë

Presidenti i Kolumbisë dërgon ushtrinë për të shtypur protestat në Cali

Ushtria kolumbiane ka filluar të forcojë kontrollin mbi qytetin Cali, pas javëve të protestave antiqeveritare ku ka pasur të vdekur, raporton BBC.

Rrugët janë zbrazur kryesisht pasi presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque, ka urdhëruar intervenimin e ushtrisë.

Së paku pesë persona kanë vdekur në Cali të premten mbrëma, viktimat e radhës në protestat që kanë marrë jetët e dhjetëra personave.

Protestat filluan në prill pas propozimit të rritjes së taksave.

Plani për taksa u tërhoq, por protestat vazhduan për dhunën e policisë, varfërinë dhe krizën shëndetësore.

Bisedimet dyjavore mes Qeverisë dhe protestuesëve nuk sollën sukses.

Cali, që është epiqendra e këtyre protestave, u fut në orë policore.

Intervenimi ushtarak përfshin disa zona të vendit.

Demonstruesit në kryeqendër Bogota, kanë thënë se do të kthehen në rrugë të dielën, për të protestuar për fundin e dhunës policore.

Duke folur në konferencë për media në Cali, Duque, ka thënë se do të dërgojë ndihmë maksimale ushtarake për Policinë.

Një nga të vdekurit të premten ishte një zyrtar në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Ai raportohet se hapi zjarr në drejtim të protestuesëve, para se të vritej.

Të shtunën, nga autoritetet në Cali është raportuar se së paku pesë persona vdiqën në trazirat të premten. Ai ka thënë se vdiqën edhe pesë persona tjerë në qytet, por nuk është e qartë nëse ato vdekje kishin të bëjnë me protestat.