Botë

Lukashenko mbron rrëmbimin e avionit, akuzon Perëndimin për “luftë hibride”

Descriptive Text

Duke e mbrojtur vendimin për ta ulur një aeroplan udhëtarësh për kapjen e një gazetari disident, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka akuzuar të mërkurën Perëndimin për nisjen e një lufte hibride ndaj tij.

Në paraqitjen e tij të parë publike prejse e devijoi në Minsk rutën e fluturimit të aeroplanit nga Greqia në Lituani, lideri bjellorus i njohur nuk ka shfaqur shenja të zmbrapsjes nga konfrontimi me shtetet që e akuzuan për terrorizëm dhe pirateri shtetërore. Lukashenko ka theksuar se Perëndimi ka tejkaluar të gjitha vijat e kuqe, duke e braktisur moralin njerëzor.

Shteti i tij veçse po përballet me sanksionet e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës shkaku i akuzave për manipulim të zgjedhjeve dhe shtypjen e protestave pro-demokracisë. Mirëpo, vendimi i tij për ta nxitur aterrimin e aeroplanit në Minsk, me pretendimin e rremë për bombë në bord, vetëm për ta kapur gazetarin, ka thelluar edhe më shumë krizën e vendit me perëndimin. Kjo pasi që shumica e avio-kompanive evropiane e kanë izoluar Bjellorusinë, duke i ndalur fluturimet nga dhe në vend, si dhe duke e anashkaluar hapësirën e saj ajrore për fluturimet e tjera. Vetëm një ditë pas arrestimit dramatik të dielën, gazetari Roman Protaseviq, kryeredaktor i një kanali të mediave sociale që shpërndante udhëzimeve rreth protestave popullore të gushtit në Bjellorusi, është shfaqur në një videoxhirim, duke e pranuar fajin për organizimin e protestave. Edhe e dashura e tij ruse, e arrestuar bashkë me të, ka pranuar fajësinë në ato që po cilësohen si pranime nën masën e trysnisë dhe torturës.