Botë

Në izolim: Aeroplanët shmangin Bjellorusinë midis furisë për arrestimin e gazetarit

Descriptive Text

Linjat ajrore evropiane kanë filluar që ta shmangin hapësirën ajrore të Bjellorusisë me vendim të Bashkimit Evropian, i cili i vendosi edhe sanksione të reja, shkaku i devijimit të detyruar të një avioni udhëtarësh për ta arrestuar një gazetar opozitar.

Në një veprim pazakonshmërisht të shpejtë gjatë samitit në Bruksel, liderët e BE-së janë pajtuar që të ndalet përdorimi i hapësirave ajrore dhe aeroporteve të bllokut 27-antarësh nga linjat ajrore bjelloruse, ndërsa kanë vendosur edhe sanksione për zyrtarët që janë të lidhur me rastin dramatik të së dielës. Incidenti kishte nxitur zemërimin e Perëndimit dhe shtimin e thirrjeve për masa ndaj Minskut zyrtar.

Përveç BE-së, presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar që të bashkëpunojë me partnerët evropianë për mbajtjen përgjegjës të të gjithë të përfshirëve në “rrëmbimin e aeroplanit”. Ndërkaq, të martën është rritur shqetësimi për fatin e gazetarit të arrestuar, Roman Protaseviq. Kjo pas shfaqjes një natë më herët të një videoje, në të cilën ai shihet teksa i pranon akuzat e ngritura ndaj tij.

Familjarët, miqtë dhe kolegët e tij e kanë cilësuar këtë si një pranim të detyrueshëm të fajësisë. Shteti bjellorus e akuzon 26-vjeçarin për organizimin e trazirave masive dhe nxitjen e urrejtjes gjatë protestave të gushtit kundër fitores zgjedhore të presidentit bjellorus, Aleksandr Lukshenko.

Sipas ligjeve bjelloruse, këto akuza bartin dënimin deri në 15 vjet burgim. Brukseli zyrtar ka nxitur njëherësh Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil për të nisur hetimet rreth asaj që është cilësuar si terrorizëm dhe pirateri shtetërore.

Kontrolluesit bjellorusë të fluturimeve kishin sinjalizuar të dielën ekipin e aeroplanit të “Ryanairit” nga Greqia për në Lituani rreth një bombe në bord, duke e nxitur uljen e tij në Minsk, me qëllim të kapjes së gazetarit dhe të dashurës së tij ruse.