Botë

SHBA-ja paralajmëron kundër udhëtimeve në Japoni, në prag të Lojërave Olimpike

Qeveria në Tokio ka mohuar me nguti të martën se do të ketë ndikim në rrjedhën e Lojërave Olimpike paralajmërimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës adresuar amerikanëve për t’i shmangur udhëtimet në Japoni, si pasojë e shtimit të rasteve me koronavirus.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se vala aktuale e përhapjes së pandemisë, e shkaktuar nga variantet e reja të virusit, mund rrezikojë njerëzit e vaksinuar, por nuk ua kanë ndaluar amerikanëve udhëtimin.

Ky paralajmërim mund t’i thellojë mëdyshjet mes atletëve amerikanë për të marrë pjesë në lojërat olimpike që do të fillojnë më 23 korrik. Shumica e vendeve në Japoni do të jenë në gjendje emergjente deri në mes të qershorit, si pasojë e shtimit të rasteve me COVID-19.

Si rrjedhojë janë shtuar shqetësimet se si do ta përballojë vendi valën e vizitorëve, në prag të Lojërave Olimpike.

Sekretari kryesor i kabinetit në Japoni ka thënë në një konferencë për shtyp se paralajmërimi amerikan nuk e pengon udhëtimin dhe se Japonia beson që mbështetja amerikane për mbajtjen e Lojërave Olimpike në Tokio nuk ka ndryshuar.