Botë

Të paktën 14 të vrarë në Peru nga grupi terrorist Shining Path

Descriptive Text

Anëtarët e grupit terrorist në Peru, Shining Path, dyshohet se kanë vrarë të paktën 14 veta në një zonë të largët të vendit, vetëm dy javë para mbajtjes së balotazhit për zgjedhjen e presidentit, bënë të ditur autoritetet peruane, njofton AP-ja.

Shefi i Policisë i Perusë, Cesar Cervantes, tha se të paktën 18 persona u vranë, ndërkohë që ushtria njoftoi për 14.

Vrasjet ndodhën në një komunitet në Vizcatan de Ene, vend në një zonë të Amazonës peruane, e që përdoret si bazë nga rebelët e mbetur të Shining Path, grup që luftoi kundër Qeverisë gjatë viteve ‘80 e ’90.

Balotazhi i 6 qershorit për president të Perusë do të vë përball majtistin Pedro Castillo dhe djathtisten Keiko Fujimori, e bija e ish-presidentit autoritar Alberto Fujimori, i cili udhëhoqi luftën dy-dekadëshe kundër Shining Path. Ai më vonë u dënua për shkelje të të drejtave të njeriut gjatë këtij konflikti.

Grupi rebel maoist, i konsideruar prej kohësh terrorist nga qeveria, nisi një nga përplasjet më vdekjeprurëse brenda shtetit të Amerikës Latine në fillim të viteve 1980 dhe rreth 70.000 njerëz u vranë, sipas Komisionit lokal të së Vërtetës.

Shining Path filloi të dobësohej në fillim të viteve 1990, pasi u arrestua themeluesi i grupit Abimael Guzman. Nga ajo kohë, grupi u shndërrua në një bandë kriminale të drogës.