Botë

Liderët BE-së mbështesin sanksionet ndaj Bjellorusisë shkaku i kidnapimit të avionit civil

Shumë vende të BE-së ua kanë ndaluar kompanive të tyre të fluturojnë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë. Uljen e detyrueshme në Minsk të avionit të “Rayanair” prej Athinës për në Vilnius, nga i cili u morr gazetari disident, Roman Protasevich dhe partnerja e tij Sofia Sapega, disa liderë të bllokut së e quajtën si “terrorizëm shtetëror”. Si pasojë, BE-ja do të vendosë sanksione ndaj personave përgjegjës për këtë

Samiti i parë me praninë fizike të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, ndonëse ishte planifikuar të diskutohej për shumë çështje, u dominua të hënën nga bisedimet se si do t’i përgjigjej BE-ja situatës së paparë deri më tash të kidnapimit të një avioni civil prej një regjimi diktatorial.

BE-ja e njohur për reagime të ngadalshme dhe të plogështa, kësaj radhe është e përballur me presionin që të bëjë diçka konkrete dhe të shpejtë, ngase regjimi i Alexander Lukashenkos kishte detyruar një avion civil nga BE-ja, që shkonte nga një shtet i BE-së në një shtet tjetër të BE-së, të ulej dhunshëm në Minsk, duke mbajtur për disa orë praktikisht si pengje qytetarë të BE-së.

Para liderëve të BE-së të hënën ishte vënë propozimi formal për një deklaratë të përbashkët, me të cilën do të vendoseshin sanksione ndaj të gjithë personave të afërt me regjimin e Lukashenkos, që ishin të përfshirë në këtë veprim. Po ashtu edhe ndalimi i fluturimeve për në vendet e BE-së të kompanive ajrore të këtij shteti, si dhe të ndalohet përdorimi i hapësirës ajrore të Bjellorusisë nga ana e kompanive evropiane.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në fillim të samitit kërkoi që të arrestuarit që ishin në atë avion të liroheshin menjëherë, ndërsa BE-ja të vendosë në mënyrë unike sanksione të reja ndaj vendit.

Më të zëshmit në thirrje për përgjigje të ashpër ndaj Bjellorusisë ishin liderët e shteteve baltike, të cilët kërkuan që BE-ja “të harrojë se me fjalë dhe me diplomaci mund të kryejë punë” dhe t’i përgjigjet me sanksione të ashpra, të cilat do ta godasin regjimin e Lukashenkos.

Image

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishte thënë se “ky veprim nuk do të mbetet pa përgjigjen e duhur”, duke paralajmëruar sanksione të ashpra.

Shumë vende të BE-së ua kanë ndaluar kompanive të tyre që të fluturojnë në hapësirën ajrore të Bjellorusisë. E ka bërë këtë “KLM” nga Holanda, “Lufthanza” nga Gjermania dhe shumë kompani të tjera.

Ekspertët e aviacionit kanë thënë se nuk është e lehtë që të evitohet hapësira ajrore e ndonjë shteti, ngase kjo do të nënkuptonte fluturime më të gjata, shpenzime më të mëdha të derivateve dhe ndotje më të madhe të ambientit. Por pasi që aksidenti me avionin e kompanisë “Rayanair” dëshmoi se askush nuk mund të jetë i sigurt as në qiellin mbi Bjellorusinë, është e domosdoshme që kjo hapësirë ajrore të evitohet, pa marrë parasysh çmimin, sepse jeta dhe siguria nuk kanë çmim.

Uljen e detyrueshme në Minsk të avionit të “Rayanair” nga Athina për në Vilnius, nga i cili u mor gazetari disident, disa liderë të BE-së e quajtën si “terrorizëm shtetëror”. Si pasojë, BE-ja do të vendosë sanksione ndaj personave përgjegjës për këtë. Edhe kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka kërkuar masa të ashpra ndaj shtetit bjellorus.

Shumë zyrtarë të BE-së kanë shfaqur dyshimet se Lukashenko ka bërë këtë veprim edhe në bashkëpunim me Rusinë. Pikërisht raportet e BE-së me Rusinë ishin planifikuar që të ishin tema kryesore e takimit të së hënës të shefave të shteteve apo qeverive të BE-së.

Liderët e BE-së do të vazhdojnë takimin e tyre edhe të martën, kur do të diskutojnë rreth përgatitjes së samitit BE-SHBA në mesin e muajit qershor, për situatën në Lindjen e Mesme dhe për vazhdimin e betejës kundër pandemisë.

Një prej temave kryesore është edhe ruajtja e mjedisit dhe planet që deri në vitin 2050 BE-ja të mbërrijë në nivelin neutral të ndotjes së ambientit. Por rreth mënyrave të arritjes së këtij qëllimi nuk ka pajtim përbrenda BE-së, kjo ngase disa shtete nuk duan që çmimin ta paguajnë vendet më pak të zhvilluara. Prandaj, këto diskutime janë vetëm fillimi i një procesi të gjatë që e pret BE-në në të ardhmen.