Botë

Kush është Roman Protasevich, gazetari i arrestuar nga Bjellorusia?

Descriptive Text

26-vjeçari Roman Potasevich, i arrestuar në operacionin dramatik të uljes së aeroplanit të “Ryanairit” me urdhrin e liderit bjellorus, Alexader Lukashenko, është bashkëthemeluesi dhe redaktori i shërbimit online të lajmeve me seli në Poloni, Nexta, i cili publikoi pamje nga protestat masive në Minsk nëpërmjet aplikacionit të mesazheve Telegram.

Me afro dy milionë ndjekës në Telegram, “Nexta Live” dhe kanali simotër i saj “Nexta” kanë luajtur rol kyç në drejtimin dhe koordinimin e protestave të vitit të shkuar kundër Lukashenkos në Bjellorusi, në kohën kur qasja në internet shpesh bllokohej dhe mediat e pavarura kufizoheshin forcërisht.

Protasevich, i cili i druante arrestimit, kishte ikur në Poloni më 2019. Janarin e 2020-s, ai raportohet të ketë kërkuar azil në këtë shtet.

Më vonë kishte gjetur strehim në kryeqytetin lituan, Vilnius, ku kishte ikur më herët edhe liderja opozitare politike, Svetlana Tikhanovskaya.

Në nëntorin e 2020-s, Bjellorusia ka nisur hetime kundër Protasevichit dhe bashkëthemeluesit të Nextas, Stsiapan Putsila, për trazimin e pretenduar të rendit shoqëror dhe për nxitjen e urrejtjes. Akuzat e ngritura mbartin dënimin prej më shumë se 12 vjetësh burgim.

Protasevichi është akuzuar për aktivitete “terroriste” derisa kanalet e Nextas dhe logot e saj janë cilësuar si “ekstremiste” dhe është urdhëruar bllokimi i tyre prej anës së autoriteteve bjelloruse.

Akuzat për terrorizëm mund të ndëshkohen me vdekje në Bjellorusi, ku dënimi kapital vazhdon të jetë në fuqi. Që prej marsit të këtij viti, Protasevichi ka punuar për një tjetër kanal të Telegramit, Belamova.

Ai edhe më herët ishte arrestuar disa herë, përfshirë më 2012-n – në moshën 17-vjeçare – nën akuzën për udhëheqjen e dy grupeve anti-Lukashenko në uebfaqen e rrjetit social me seli në Rusi, Vkontakte. Njëri prej grupeve njihej si “Jemi lodhur nga Lukashenko”.

“Më kanë goditur në veshkë dhe në mëlçi”, kishte thënë asokohe studenti Protasevich. “Kam urinuar gjak për tri ditë pas kësaj. Kërcënuan se do të më akuzonin për rasteve të pazgjidhura të vrasjeve”.

Gjatë marrjes në pyetje, ka thënë ai, zyrtarë të shërbimit bjellorus të sigurisë, që ende mban emrin KGB që nga periudha sovjetike, ia kishin kërkuar fjalëkalimin e grupeve online.

Pas kësaj, Protasevich kishte punuar si fotoreporter për mediat bjelloruse dhe kishte marrë çmimin Vaclav Havel për gazetari në vitet 2017-2018, i cili u ndahet gazetarëve aspirues të pavarur.