Botë

Mijëra qytetarë braktisin shtëpitë në Kongo pas shpërthimit të vullkanit

Mijëra persona kanë lëshuar shtëpitë e tyre në Republikën Demokratike të Kongos pas shpërthimit të një vullkani të madh, raporton BBC.

Vullkani në malin Nyiaragongo ka shpërthyer në orët e hershme të së dielës, duke formuar re të dendura në qytetin Goma, që ka popullatë rreth dy milionë banorë.

Lava ka arritur në aeroportin e qytetit, por është ndaluar aty.

Vullkani, që gjendet rreth 10 kilometra nga goma, së fundi shpërtheu në vitin 2002 duke shkaktuar vdekjen e 250 personave dhe duke lënë 120 mijë tjerë të pastrehë.

Gjatë orëve të hershme të së dielës, shumë banorë janë nisur në afërsi të kufirit me Ruandën, ndërsa disa tjerë janë ngjitur në vende më të larta në perëndim të qytetit.

Turma janë parë me dyshekë dhe gjësende tjera, duke ikur edhe para se qeveria të dilte me një njoftim, që erdhi disa orë pas shpërthimit.

Autoritetet e Ruandës kanë njoftuar se rreth 3000 persona kanë kaluar kufirin nga Goma. Është njoftuar se personat do të akomodohen nëpër shkolla dhe nëpër objekte fetare.

Një banor i Gomas, Richard Bahati, ka treguar se ai ishte në shtëpi kur dëgjoi bërtimat.

“Dola jashtë dhe qielli ishte i kuq. Jam shumë i shqetësuar. Kam përjetuar problemet me këtë vullkan në vitin 2002. Vullkani shkatërroi gjithë shtëpitë dhe pronat tona. Për këtë arsye jam i frikësuar”, ka thënë Bahati, raporton agjencia AP.

“Të gjithë janë të frikësuar, njerëzit po ikin. Nuk e dimë se çfarë të bëjmë”, ka thënë Zacharie Paluku, banor tjetër në goma.