Botë

BE-ja i hap kufijtë për turistët dhe vizitorët e vaksinuar

Descriptive Text

Sipas planit të BE-së, blloku do t’i pranojë vizitorët që e kanë kompletuar vaksinimin të paktën dy javë para mbërritjes dhe atë me ndonjërën prej vaksinave të miratuara nga Rregullatori evropian apo nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Përveç të vaksinuarve, do të lejohen edhe shtetasit e vendeve të kategorizuara si të sigurta në aspektin e pandemisë, mirëpo lista e tyre do të finalizohet të premten

Bashkimi Evropian është dakorduar të mërkurën që t’i rihapë kufijtë e vet për vizitorët që janë të vaksinuar plotësisht me kurat e miratuara për përdorim dhe për ata që vijnë nga një listë shtetesh të cilësuara si të sigurta në rrafshin e pandemisë, duke i lejuar kësisoj udhëtimet më të gjera në prag të fillimit të sezonit të turizmit veror.

Ambasadorët nga 27 vendet e BE-së e kanë mbështetur planin që do t’i lejonte vizitat nga turistët dhe udhëtarët e tjerë joesencialë, të cilët e kishin të ndaluar hyrjen në bllok për më shumë se një vit.

Veprimi është konsideruar si imperativ ekonomik për vendet që varen nga turizmi – si Greqia dhe Spanja – dhe ishte shqyrtuar për muaj të tërë. Vendet e tjera të BE-së që janë më pak të varura nga turizmi, veçmas veriu i Evropës, kanë qenë më të interesuara për ta ruajtur pragun e ndalesave vënë vizitorëve joesencialë, për ta mbajtur koronavirusin nën kontroll. Por, ato janë zmbrapsur nga qëndrimi fillestar pas avancimit të fushatave të vaksinimit kundër COVID-19.

Rregullat e reja pritet që të zyrtarizohen javën e ardhshme, pas kapërcimit të pengesave burokratike dhe varësisht prej asaj se si akëcili vend përgatitet për të pritur turistë.

Disa vende, përfshirë Greqinë, veçse kanë hequr kërkesat për testimin dhe karantinimin e vizitorëve të vaksinuar.

Sipas planit të BE-së, blloku do t’i pranojë vizitorët që e kanë kompletuar vaksinimin të paktën dy javë para mbërritjes dhe atë me ndonjërën prej vaksinave të miratuara nga Rregullatori evropian apo nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Në këtë mes përfshihen kurat e kompanive “AstraZeneca”, “Johnson & Johnson”, “Moderna”, “Pfizer”-“BioNTech” dhe “Sinopharm”.

Përveç të vaksinuarve, në BE do të lejohen edhe shtetasit e vendeve të kategorizuara si të sigurta në aspektin e pandemisë. Mirëpo, lista – që është hartuar bazuar në kriterin epidemiologjik dhe që do të azhurnohet rregullisht – do të finalizohet gjatë së premtes. Sipas një drafti të listës, vendet e përfshira do të jenë ato që kanë nën 75 raste të infektimit me koronavirus për 100.000 banorë gjatë një periudhe kohore prej 14 ditësh. Draftlista specifikon se fëmijëve nuk do t’u kërkohet vaksinimi gjatë udhëtimit me prindërit e vaksinuar, porse mund t’u kërkohet dëshmia e testit negativ PCR për koronavirus, të kryer jo më vonë se 72 orë para mbërritjes.

Çështja më e ndërlikuar lidhur me rregullat mbetet ajo se si do të përcaktohet statusi i vaksinimit i udhëtarëve.