Botë

Malavi djeg mbi 19 mijë doza të vaksinave antiCOVID me datë të skaduar

Descriptive Text

Autoritetet shëndetësore në Malavi kanë djegur 19.160 doza të vaksinës antiCOVID të AstraZenecas të cilave i ka skaduar afati i përdorimit, ndërsa kanë thënë se do të sigurojë publikun se çdo vaksinë që do të marrin do të jetë e sigurt, raporton BBC.

Është shteti i parë në Afrikë që ka bërë një gjë të tillë publikisht.

Organizata Botërore e Shëndetësisë fillimisht i kishte bërë thirrje shteteve të mos shkatërronin dozat të cilave u ka skaduar fati, por tash ka ndryshuar udhëzimet.

Malavi shpreson që me këtë veprim do të rritet vetëdijësimi i publikut.

Nga popullata prej 18 milionë banorëve, në Malavi janë regjistruar 34.232 raste pozitive me koronavirus dhe 1153 të vdekur.

Malavi pranoi 102 mijë doza të AstraZenecas nga Unioni i Afrikës më 26 mars dhe ka përdorur afro 80 për qind të tyre.

Por data e skadimit në to ishte 13 prill, kështu që pjesa e mbetur është vendosur të asgjësohet.

Sekretari i Shëndetësisë së Malavit, Charles Mwansambo, ka thënë për BBC se është fatkeqësi që u desh të digjnin dozat e vaksinës, porse përdorimi i tyre do të ishte me rrezik.