Botë

Fuqizimi i “të fuqishmëve” të Evropës

Shumë liderë kanë minuar vlerat demokratike për të qeverisur dorëlirë në emër të emergjencës shëndetësore. Ama tani të paktë prej tyre kanë “plane të daljes” për heqjen dorë prej kompetencave të porsafituara

Me qindra e mijëra persona kanë humbur jetët e tyre përreth Evropës për shkak të COVID-19 dhe shumë më tepër të tjerë janë përballur me telashe afatgjate shëndetësore, pas prekjes nga sëmundja.

Ata, sipas një analize të agjencisë amerikane CNN, megjithatë nuk janë të vetmet viktima të pandemisë.

Normat demokratike gjithashtu janë shtypur seriozisht nga një vit i tërë kufizimesh teksa ekspertët tani druajnë se politikanët e uritur për pushtet mund të shfaqen hezitues që ta dorëzojnë autoritetin e tyre pothuajse totalitar kur kriza të marrë fund.

Minimi i normave demokratike

Në Francë, për shembull, Parlamenti ka miratuar një ligj në fillim të kësaj jave për ta zgjatur gjendjen e emergjencës në vend deri në fund të shtatorit. Ky ligji ia lejon presidentit, Emmanuel Macron, prezantimin e një lejeje shëndetësore që tregon nëse dikush është vaksinuar apo jo kundër COVID-19, si dhe zbatimin e orës policore gjatë vendit.

Veprimi është cilësuar kundërthënëse nga disa prej aleatëve liberalë të Macronit: tekefundit, udhëzimi i qytetarëve që të qëndrojnë brenda shtëpive për një kohë të caktuar dhe gjurmimi i informatave të tyre shëndetësore zor se janë në konsistencë me traditat liberale të Francës.

“Gjatë mandatit të tij si president, Macroni është akuzuar për lëkundje nga platforma centriste liberale me të cilën është zgjedhur më 2017, duke adoptuar një qëndrim të sertë karshi islamit dhe imigracionit për të konkurruar ndaj rivales së tij kryesore politike, Marin le Penin e së djathtës ekstreme”, ka shkruar CNN.

Nuk ka shumë kohë që presidenti francez ka lartësuar vlerat e demokracisë. Duke folur para Kongresit Amerikan më 2018, ai i kushtoi nderime “shenjtërisë së demokracisë dhe ia rikujtoi botës fjalët “ e zbukuruara në flamujt e revolucionarëve francezë ‘Vivre libre ou mourir’” (Jeto i lirë apo vdis). Në mënyrë ironike, duke e pasur parasysh etjen e qartë të presidentit për t’u treguar si shef i qytetarëve me arsyetimin e ndaljes së përhapjes së një virusi vdekjeprurës.

“Marrëdhënia e lëkundur e Macronit me demokracinë nuk ndalet me gjurmimin e atyre që janë vaksinuar dhe me ngujimin e njerëzve përbrenda shtëpive. Gjatë gjithë pandemisë, presidenti ka reduktuar rolin që Parlamenti i tij luan në shqyrtimin e hollësishëm të njoftimeve të tija politike”, ka vlerësuar CNN në analizën e saj.

“Roli i Parlamentit në Francë është më i kufizuar së kurrë nën gjendjen e re të emergjencës shëndetësore”, ka theksuar Joelle Grogan, ligjërues i lartë në Universitetin e Middlesexit. “Qeveritë dhe administratat nuk e kanë për obligim që të dërgojnë në Parlament kopjet e urdhrave që i adoptojnë”.

“Democracy Reporting International” (DRI) ka publikuar së fundi një studim gjithëpërfshirës për mënyrat se si qeveritë përreth Bashkimit Evropian janë përgjigjur në kontekstin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Franca është listuar si një vend me “shqetësim të madh” për sa i përket shtrirjes së përmbysjes së normave ligjore nga Qeveria.

Dorëzimi i autoritetit, problem më i madh

Image

Ama puna është se Franca nuk është i vetmi vend i BE-së që ka rrëshqitur në aspektin e demokracisë.

Në Austri, Slloveni, Belgjikë dhe Lituani, vetëm sa për të përmendur disa, janë shprehur shqetësime serioze se qeveritë po i keqpërdorin ligjet ekzistuese për cungimin e lirive të qytetarëve.

Në fakt, ka shkruar CNN, DRI-ja ka përmendur vetëm Spanjën nga mesi i 27 vendeve anëtare të BE-së si një shtet që “nuk përbën shqetësim”, kur bëhet fjalë për mbikëqyrjen parlamentare apo ligjore të masave anti-COVID.

“Shembulli më skandaloz prej të gjithëve është mbase ai i Hungarisë, ku Qeveria ka miratuar ligjin që ia lejon qeverisjen me dekret, pa ndonjë rishikim juridik”, ka shkruar transmetuesi i njohur amerikan.

Përveç kësaj, gjykatat në Republikën e Çekisë dhe në Qipro kanë pretenduar se nuk kanë kurrfarë juridiksioni mbi masat kundër koronavirusit. Kjo gjë ka tkurrur theksueshëm veprimet për mbrojtjen e çfarëdo përpjekjeje për tejdepërtimin e Qeverisë.

Shqetësim qendror në raportin e DRI-së citohet fakti se fare pak vende evropiane kanë një “plan të qartë të daljes” për përfundimin e gjendjes së emergjencës dhe për kthim në mënyrat normale të qeverisjes.

Në këtë rrafsh shqetësim real përbën rasti i Francës.

Phillippe Marlière, profesor i politikave franceze dhe evropiane në Kolegjin Universitar të Londrës, ka cekur se gjatë viteve të fundit, Franca ka zbatuar disa herë gjendje të emergjencës në kundërpërgjigje ndaj sulmeve terroriste. Shumica e masave të prezantuara në këto kohë që kanë të bëjnë me liritë personale kanë mbetur në fuqi.

“Do të vija bast se shumë masa joliberale që janë zbatuar nën COVID, si lejet shëndetësore dhe kërcënimet me orë policore, do të mbesin në fuqi apo do të paraqiten përsëri”, ka theksuar ai. “Politikanët janë shumë të mirë në marrjen e autoritetit, por më pak të mirë në dorëzimin e tij”.

Destabilizimi i gjithë bllokut

Image

Ekziston një shqetësim i veçantë midis disave se Macroni, i cili është duke u ballafaquar me zgjedhje vitin e ardhshëm, mund ta shohë ngushtimin e lakut të pushtetit si një avantazh.

“Presidenti francez ka më shumë kompetenca në letër se presidenti amerikan. Ai mund të kontrollojë policinë, ushtrinë, të gjitha politikat e brendshme, krejt politikat e Jashtme. Ai madje e emëron vetë kryeministrin e tij”, ka thënë Marlière, duke folur për CNN. “Kjo gjë, e kombinuar me dikë që kërkon rizgjedhjen e që veçse është duke kapërcyer në të djathtën për çështjet si islami pa ndonjë vëzhgim të përnjëmendtë, është pa dyshim shumë shqetësuese”.

Akoma më shqetësues, sipas raportit të DRI-së, është fakti se vetëm pesë vende anëtare të BE-së – Republika Çeke, Franca, Lituania, Holanda dhe Portugalia – kanë strategji adekuate të kthimit të normalitet.

“Është larg më lehtë të qeveriset me dekrete sesa me kufizime, andaj është e qartë pse liderët do të dëshironin që të mbaheshin në pushtet”, ka theksuar Grogan, i cili ka cekur gjithashtu se minimi i sundimit të ligjit ka qenë një problem përbrenda BE-së, për tash e sa kohë.

Sipas analizës së CNN-it, Hungaria dhe Polonia janë akuzuar viteve të fundit për abuzimin e sundimit të ligjit madje deri në atë nivel saqë neni 7 i Traktatit të BE-së, i cili, po qe se aprovohet nga të gjitha vendet anëtare, do t’ua kufizonte vendeve të drejtat e votës në BE dhe t’ua kufizonte qasjen në paratë e BE-së, ka nxitur ngritjen kundër që të dyjave.

Problemi është se si Hungaria ashtu edhe Polonia janë në gjendje që t’u vendosin veto veprimeve kundër tjetrës, duke e pasqyruar BE-në disi si pa mjete.

“Ajo që ndodh më pas është një problem i madh. Ne mund të flasim rreth mekanizmave ligjorë dhe ligjeve. Por përfundimisht na nevojitet konsensus politik”, ka shtuar Grogan.

Verën e shkuar Brukseli ishte munduar që t’i shtrëngonte Hungarinë dhe Poloninë që të qëndronin në një linjë me buxhetin afatgjatë të BE-së, por janë zmbrapsur në minutën e fundit dhe janë dakorduar për miratimin e fondeve të rimëkëmbjes nga COVID-19 të bllokut.

Ama në konsideratë janë dy shtete anëtare. Çfarë ndodh kur janë shumë më tepër?

“Tekefundit, BE-ja është një strukturë ligjore. Ekziston për t’i bërë obligative të drejtat e dyanshme midis shteteve dhe qytetarëve”, ka theksuar Grogan. “Mirëpo, do të ishte e pakujdesshme që të anashkalohet ndërlikueshmëria përtej kësaj. Siç ka treguar Brexiti, është një grup shtetesh që vendosin që të bëhej pjesë e klubit. Brexiti na tregoi se mund të ikim, por problemi është se nëse dikush nuk i pranon vlerat dhe nuk dëshiron që të largohet, atëherë është ligjërisht e pamundur që ky shtet të largohet”.

Se ku mbaron e gjithë kjo punë, ky është hamendësimi i të gjithëve. BE-ja nuk është se do të shpërbëhet, siç kanë parashikuar disa, por është e mundur që euroskeptikët përreth bllokut të mund t’i imponojë ndryshimet që e minojnë të gjithë punën. Dhe “po qe se jeni në kërkim të një mënyre për ta destabilizuar BE-në, atëherë tallja me sundimin e ligjit do të ishte një pikënisje e mirë, sa për fillim, thuhet në analizën e CNN-it.

“Po e shohim, si rëndom me emergjenca, një ndryshim pushteti drejt ekzekutimit me mbikëqyrje prej Parlamentit, gjyqësorit dhe trupave të tjerë, tek bëhet më i dobët”, ka thënë Jakub Jaraczewski, koordinator i studimeve në DRI. “BE-ja mund të jetë duke punuar drejt mbikëqyrjes më të mirë ligjore – por nëpërmjet Komisionit, Agjencisë së të Drejtave Thelbësore apo madje nëpërmjet Gjykatës së Drejtësisë. Por do të nevojitej vullnet politik nga udhëheqësit në vendet anëtare në mënyrë që BE-ja qendrore ta merrte kontrollin mbi fushat politike që i parapëlqejnë për t’i mbajtur sa më afër kraharorit”.

Nganjëherë thuhet se ligjet e BE-së janë një katrahurë e ndërlikuar e interesave të ngushta politike, të maskuara me petkun ligjor. Këto interesa të ngushta politike kanë pasur një ndikim më të madh në drejtimin e rrugëtimit të bllokut sesa idealet që supozohet se i bashkojnë 27 shtetet krejtësisht të ndryshme njëra prej tjetrës, thuhet në analizën e CNN-it.

Për pjesën më të madhe të dekadës vendet anëtare që hahen rreth asaj se cila saktësisht do të duhej të ishte Evropa dhe si duhej t’u përgjigjej krizave kanë qenë gjërat më të zorshme për t’u paraparë përbrenda BE-së. Shpërfillja për ligjin, megjithatë, është një kokëdhembje larg më fundamentale sesa mospajtimet rreth emigracionit apo se si duhen shpenzuar paratë.

“Kur politika shndërrohet në diçka që i ngjason normales, Brukseli do të mund të përballej me më shumë vende sesa vetëm Polonia dhe Hungaria që hyjnë në shtigje të turbullta. Dhe nëse këta delikuentë të fundit vendosin se kompetencat e tyre të porsafituara kanë më tepër rëndësi për ta sesa mbajtja e fqinjëve në BE të lumtur, ka pak gjasa që të mëdhenjtë e BE-së do të mund ta ndalin destabilizimin pasues të të gjithë bllokut”, konstaton CNN. \ Analizë e amerikanes “CNN”

Përktheu: Nita Lleshi