Botë

Krimineli i luftës Karaxhiq do të vuajë pjesën tjetër të dënimit në Britani

Britania e Madhe është pajtuar që ta transferojë Radovan Karaxhiqin, ish-liderin e serbëve të Bosnjës të dënuar për krime lufte gjatë konfliktit në Ballkan në vitet 1990-ta, në një burg britanik për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit, raporton “The Guardian”.

“Radovan Karaxhiq është një nga pak persona që janë shpallur fajtor për gjenocid. Është përgjegjës për masakrën e burrave, grave dhe fëmijëve në gjenocidin e Srebrenicës dhe ka ndihmuar në rrethimin e Sarajevës me sulmet e pamëshirshme mbi civilët”, ka thënë sekretari i jashtëm britanik, Dominic Raab. “Ne duhet të krenohemi me faktin që, nga mbështetja e Britanisë për të siguruar arrestimin e tij, deri te qelia e burgut me të cilën përballet tash, Britania ka mbështetur ndjekjen 30-vjeçare të drejtësisë për këto krime të tmerrshme”.

Karaxhiq 75-vjeçar, u dënua me 40 vjet burgim në vitin 2016 pasi u shpall fajtor për masakrën e Srebrenicës në korrik të vitit 1995, ku forcat serbe në Bosnjë vranë më shumë se 8000 myslimanë.