Botë

Izraeli nis varrimin e disa prej 45 të vdekurve në stampedo

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka premtuar se hetimet e nisura do të garantojnë që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më kurrë. Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, ai ka thënë se incidenti i së enjtes vonë ishte katastrofa më e rëndë në kohë paqeje që vendi ka përjetuar ndonjëherë. Ndërkaq, të shtunën do të jetë ditë zie në Izrael

Familjet në Izrael kanë filluar të premten varrimin e më të dashurve të tyre, pasi të paktën 45 persona janë shtypur për vdekje gjatë stampedos që ka ndodhur gjatë një festivali ortodoks hebraik buzë shpateve të malit Meron në Izrael.

Përveç viktimave, edhe 150 persona të tjerë janë lënduar në festivalin Lag B’Omer, kur personat u ngujuan në një vendkalim të ngushtë afër zonës ku mbahej festivali.

Funeralet janë lejuar të mbahen për viktimat të cilat kanë arritur të identifikohen.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka premtuar se hetimet e nisura do të garantojnë që një tragjedi e tillë të mos ndodhë më kurrë. Gjatë vizitës në vendin e ngjarjes, ai ka thënë se incidenti i së enjtes vonë ishte katastrofa më e rëndë në kohë paqeje që vendi ka përjetuar ndonjëherë. Ndërkaq, të shtunën do të jetë ditë zie në Izrael.

Duke folur për agjencinë izraelite të lajmeve “Ynet”, një dëshmitar i rastit, i cili u identifikua vetëm si David, ka thënë se ndihej sikur një dallgë njerëzish po lëshohej.

“Trupat i kishim krejtësisht të ngjitur njëri me tjetrin. Njerëzit po fluturonin në ajër, të tjerët po shtypeshin për vdekje në tokë”, ka theksuar ai.

Shtypja nga paniku ka ndodhur kur me dhjetëra-mijëra hebraikë ultra-ortodoksë ishin grumbulluar në varrin e rabinit të shekullit të dytë, Shimon Bar Yochai, për ceremonialin vjetor të nderimit, që përfshin lutjet, luajtjen e muzikës mistike dhe vallëzimet gjatë tërë natës.

Turmat e qytetarëve kishin vërshuar zonën, megjithëse ishte paralajmëruar kundër një gjëje të tillë shkaku i pandemisë. Videoxhirimet e postuara nëpër mediat sociale pak minuta pas shtypjes kanë shfaqur pamjet e burrave që përplaseshin dëshpërueshëm nëpër rrethojat e metalta për të gjetur hapësirë për ikje, në përpjekje për ta shmangur shtypjen.

Shkaktarët e ngjarjes ende janë duke u hetuar.

“Ndodhi njëfarë trazimi, policia, britmat, hallakatmë e madhe, dhe pas nja gjysmë ore vendi i ngjasonte skenave të ndonjë sulmi vetëvrasës me bombë, njerëz të shtrirë përtokë...”, ka thënë për media 19-vjeçari Hayim Cohen, që ka marrë pjesë në festival.

Një i lënduar me këtë rast ka përshkruar për mediat izraelite se si shtypja kishte nisur, kur një radhë e njerëzve që ndodheshin përpara thjesht u rrëzuan.

“U krijua një piramidë e njerëzve të ngujuar njëri mbi tjetrin. Nisën të binin njëri sipër tjetrit. Mandej ishte edhe radha e dytë. I kam parë me sytë e mi njerëzit tek vdisnin në radhën përpara”, ka thënë ai, teksa nuk ka pranuar të identifikohet.

Varri në malin Meron konsiderohet si një prej vendeve më të shenjta në botë hebraike dhe aty mbahen pelegrinazhe të përvitshme. Ngjarja ishte një prej organizimeve me pjesëmarrjen më të madhe të njerëzve në Izrael që prej shpërthimit të pandemisë më shumë se një vit më parë. Ministria izraelite e Drejtësisë ka njoftuar se hetuesit janë duke hulumtuar nëse ka pasur ndonjë shkelje policore ndërlidhur me rastin.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit për t’i shprehur ngushëllime rreth humbjeve, ndërkaq ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke punuar për t’i konfirmuar raportet nëse ndonjë shtetas amerikan ka vdekur apo është lënduar në këtë incident.