Botë

Të vaksinuarit mund të dalin pa maska në SHBA

Descriptive Text

Personat që kanë marrë të dy dozat e vaksinave kundër COVID-19 mund t’i kryejnë sigurt aktivitetet e përditshme në hapësirat e jashtme pa bartur maska, por ato duhet t’i mbajnë nëpër hapësira publike kur kjo gjë u kërkohet, kanë thënë të martën rregullatorët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Udhëzimi i ri shëndetësor është dhënë pasi që më shumë se gjysma e të gjithë të rriturve në SHBA tanimë kanë marrë të paktën nga një dozë vaksine.

Udhëzimi i fundit, sipas Qendrave amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, përbën hapin e parë drejt kthimit në aktivitete normale të atyre që e kanë kryer procesin e vaksinimit.

Bartja e maskave është konsideruar nga ekspertët si njëra prej mënyrave më efikase për ta mbajtur nën kontroll përhapjen e virusit. Rastet e reja të infektimit në SHBA kanë shënuar rënie prej 16 për qind javën e shkuar, teksa mbi 140 milionë persona kanë marrë të paktën një dozë të vaksinave të kompanive “Pfizer”-“BioNTech”, “Moderna” apo “Johnson & Johnson”.