Botë

“Kujdesu për fëmijët” – amaneti i një lufte shkatërruese në Etiopi

Abraha Kinfe Gehremariam humbi gruan, i mbetën në krahë dy vajza binjake dhe dy të bijtë e vegjël, të cilët u detyrua t’i shpëtonte nga të shtënat dhe t’u gjente strehim larg shtëpisë. Rrëfimi i tij pasqyron konfliktin e ashpër që ka mbërthyer Etiopinë gjatë muajve të fundit

Të shtënat shpërthyen krejt afër shtëpisë së Abraha Kinfe Gehremariamit. Shpresonte se jehona do ta mbyste vajin e bashkëshortes së tij, të mbërthyer në dhembje, dhe të dy vajzave të tija binjake, të shtrira përskaj saj.

Dhuna në rajonin verior etiopas, Tigray, kishte shpërthyer në kohën më të keqe të mundur për Abrahan dhe familjen e tij. Fshati i tij, Mai Kadra, ishte qendra e parë e njohur e masakrave të një lufte shkatërruese që ka lënë të vdekur me mijëra tigrayanë.

Abraha e luste gruan, që vuante nga komplikimet pas lindjes, që të mos bëzante, ngase akëcila zhurmë do t’i sillte sulmuesit e armatosur para dyerve të shtëpisë së tij. Dy të bijtë e tij të vegjël e shikonin të frikësuar.

“U luta e u luta”, tha Abraha. “Zoti nuk më ndihmoi”. E tmerronte mendimi se familja e tij mund të mos mbijetonte.

Image
Abraha bashkë me katër fëmijët e tij

Agonia e një lindjeje në konflikt

Pesë muaj pasi nisi, konflikti i armatosur në Etiopi është shndërruar në një fushatë për eliminimin e pakicës tigray.

Kërdia në Mai Kadra kishte nisur në nëntor, kur bashkëshortja e Abrahas, Letay, po i kalonte momentet e fundit të asaj që në dukje i ngjasonte një shtatzënësie normale. Autoambulancat edhe ashtu ishin afër, nuk e çante kokën.

Por, mandej, jehona e të shtënave nisi të afrohej. Të shtënat dhe britmat shtrënguan Letayin, bashkëshortin e saj dhe të bijtë e tyre – 5-vjeçarin Micheale dhe Danielin 11 vjeç – që të ikin për strehim në një shtëpi të madhe rrethuar me bar. Nuk kishin asgjë për të ngrënë dhe pirë.

Të nesërmen, Letayin e mbërthyen dhembjet e lindjes. Meqë luftimet po vazhdonin ngado, çifti vendosi që të mos rrezikonte për të shkuar deri në klinikë. Një grua e moshuar që nuk kishte ikur e ndihmoi atë në lindje.

Abraha kurrë më herët nuk e kishte parë me sytë e tij një proces të lindjes. Sikurse krejt burrat në Tigray, lindjen e foshnjave e priste përtej derës, duke u lutur. Lindja ishte e lehtë dhe e shpejtë. Më pas hyri në dhomë. E priste një vajzë, por përkrah bashkëshortes së tij të shtrira ishin dy syresh. Gëzimi iu mbyt nga shqetësimi.

“Diçka e tmerrshme po ndodhte në fshat. Pyetesha si mund ta përballoja këtë situatë?”, theksoi ai. Por, vetëm pak orë më vonë, i harroi foshnjat. Diçka nuk po shkonte në rregull me gruan e tij.

Po e mbysnin dhembjet. E vajzave të porsalindura, që qanin pa ndalur, nuk po mund t’u bënte çare. Me gjithë frikën dhe rrezikun, ai vendosi që ta dërgonte gruan e tij në klinikën e fshatit. Në ditën e nëntë të paslindjes, Letay e thërret Abrahan që t’i afrohej në shtratin e spitalit.

“Kujdesu për foshnjat e mia”, i tha ajo. “Unë do të vdes. Nuk kam shpresë. Më vjen keq”.

Ajo vdiq të nesërmen.

“Kemi nevojë për ty”

Image
Gruaja e tij, Letay, ka vdekur pas lindjes së binjakeve, në rajonin Tigray të Etiopisë

Ishte ditë. Varrimi i saj zgjati shkurt. Nuk pati fjalime. As tubime të mëdha, siç e do zakoni në Tigray. Abraha u kthye në shtëpi, ku foshnjat që pothuajse i kishte harruar nga sëkëlldia po e prisnin, të pavetëdijshme për gjërat që po ndodhnin. Ai as që e kishte idenë se si duhej kujdesur për to. Ishte në hall. E tmerronte ideja se duhej t’i lante dy krijesa fare të imëta. Me dy foshnja në duar, gjithçka për të ndillte zi. E kur u thye dhe nisi të qante, të bijtë e ngushëlluan.

“Kemi nevojë për ty, ji i fortë”, i thanë ata.

U mundua ta mblidhte veten. E siguroi një dokument të rremë identifikues dhe e ndryshoi përkatësinë etnike. Tani, në letër, ishte wolkait. Dhe këtë e bëri pikërisht në kohën e duhur.

Kur militantët amhara të rajonit mbërritën në shtëpinë e tij, Abraha ua tregoi dokumentin e rremë dhe u foli në gjuhën amharike, kryesorja në Etiopi. Dhe ua tregoi edhe foshnjat.

Çdo dyshim u tret. Por, militantët e vizituan në shtëpi edhe disa herë të tjera pas asaj. I ofruan pak para dhe u munduan ta ngushëllonin për humbjen e tij.

“Menduan se isha njëri prej tyre”, tha Abraha.

Familjen e kishte të sigurt, të paktën për pak. Por, e dinte se nuk do të zgjaste përgjithmonë.

Situata në Mai Kadra po bëhej më e rrezikshme dita-ditës. Për çdo natë dëgjonte se dikush tjetër ishte vrarë. Një muaj pas nisjes së luftimeve, ai vendosi të largohej. Nuk e dinte as ku.

Mblodhën pak gjëra, ashtu që amharët, të cilën tani e kontrollonin Mai Kadran, të mos e kuptonin se po largoheshin përgjithmonë. U nisën drejt një pikëkontrolli në fund të qytetit, të shoqëruar nga fqinja amhara. Ajo i siguroi luftëtarët se familja ishte e etnisë amhara.

Militantët madje e ndihmuan që të ikte. E ndaluan një veturë në rrugë dhe ia aranzhuan udhëtimin, duke e shpëtuar Abrahan dhe fëmijët e tij nga ecja gjashtëorëshe deri në qytetin Humera, afër kufirit me Sudanin.

I verbuar nga pikëllimi dhe zemërimi, Abraha as që i kthente sytë nga dritarja gjatë udhëtimit. Përtej tyre, familje të dëshpëruara po iknin këmbë, duke lënë prapa vetes gjithçka që kishin.

Në Humera, që po ashtu ishte nën kontrollin e amharave, familja shkoi në spital për të kërkuar qumësht. Sërish, falë foshnjave në gryk, përfitoi miq.

“I gjithë stafi ndjeu keqardhje për mua, madje edhe pastrueset”, tha ai.

Një bashkëkombase tigrayane, prej të paktave që kishin mbetur në stafin e spitalit, heshtazi i çoi në shtëpinë e saj dhe i sugjeroi që të iknin në Sudan. Rrugëtimi ishte katër orë ecje në këmbë.

Shpresa për jetën

Familja e nisi rrugëtimin përfundimtar para agut. Iu shmangën rrugëve kryesore dhe u fshehën herë pas here nëpër shkurre për t’i ushqyer binjaket.

Kur dielli përvëlues nisi të lindte, pamja e Sudanit filloi t’u shfaqej, përtej lumit të ngushtë Tekeze. Aty, rreshti i bashkëkombësve të tij që prisnin ishte enorm. Foshnjat nisën të qanin.

Për befasinë e Abrahas, turma i dha përparësi e personat që do ta bartnin me anije përtej lumit madje i ofruan lirim për shërbimin. U ul në mes të anijes. Not nuk dinte. Por, një lloj qetësie e mbërtheu.

“Isha 100 për qind i sigurt se foshnjat do të rriteshin, se gjërat do të ndryshonin prej atij momenti”, tha ai. “I gjithë shqetësimi m’u zhduk. Nuk kishte më frikë për jetët tona”.

Familja mbërriti në Sudan e rraskapitur, teksa dy foshnjat ishin drastikisht nënpeshë.

Megan Donaghy, një mami e “Mjekëve pa Kufij”, pyeti se çfarë u kishte ndodhur nënës së tyre.

Abraha nxori një fotografi dhe tha: “Kjo është bashkëshortja ime”. Gjithë familja buzëqeshi tek shikoi fotografinë.

“Atëherë nisa të qaja, kur e pashë fytyrën e saj”, kujton Donaghy. “Ajo ishte aq e bukur, grua energjike, një grua e re, e cila e donte familjen e saj, dhe ata tani ishin me rroba të shqyera, të rraskapitur, të uritur, me këto foshnja të vogla”.

Një tjetër refugjate, Mulu Gebrencheal, nënë e pesë fëmijëve, i doli në ndihmë familjes. I mësoi si të kujdeseshin për foshnjat. Por, Gebrencheal thotë se e mundon mendimi për të ardhmen e tyre.

“Qoftë edhe një përqafim i vetëm nëne është i mjaftueshëm”, thotë ajo. “Ato kurrë nuk e patën. Dhe kurrë nuk do ta kenë”.

“Parajsa” e “Lënia vetëm”

Disa muaj pasi mbërritën në Sudan, binjaket energjike ia kapin gishtin dhe i buzëqeshin burrit që tanimë është bërë ekspert i përkujdesjes për to. Por, para Abrahas qëndron edhe një detyrë e dhembshme. Më në fund ka mbërritur të kontaktojë me të afërmit e tij në Tigray. Kur e kapi telefonin, në anën tjetër të receptorit iu lajmërua e motra. I kërkoi që krejt familjarët të mblidheshin tok për një bisedë të rëndësishme të nesërmen.

E kishte përshkuar vetë rrugën e kthimit drejt kufirit me Etiopinë, ku refugjatët vijnë me telefonat e tyre celularë për sinjal më të mirë. E shtrëngoi fort veten për ta nisur bisedën me lajm të mirë.

Familjarët në padurim prisnin hollësi për gruan e tij.

“A ka lindur?”, e pyetën. “Po, binjakë”, iu përgjigj Abraha. Të gëzuar, familjarët insistuan për lajme të tjera. “Vajza apo djem?”... “Kujt i ngjajnë më shumë?”.... “Si shkoi lindja?”.

Në fund, Abraha i qetëson dhe vazhdon.

“Por”, u tha ai, “nuk arrita t’ia shpëtoj jetën”.

Familjarët shpërthyen në vaj. Lotët nuk mundi t’i ndalte as ai. E rëndonte edhe mendimi për gjërat e tmerrshme që mund t’u kenë ndodhur motrës së tij dhe të tjerëve, e që ata po i fshihnin prej tij. Kur lotët i pushuan, familjarët u munduan ta ngushëllonin.

“Zoti i ka planet e tija”.... “mundohu ta mbash veten”.... “kujdesu për fëmijët, dhe djemtë”... “ti je gjithçka që ata kanë tani”.

Atë natë, Abraha u kthye në atë që ai dhe fëmijët tani e quajnë shtëpi, falë atyre që e ndihmuan të mbetej gjallë. I kapi vajzat dhe ua shikoi fytyrat, në kërkim të një ngjasie me të ëmën e tyre. Të gjithë pajtohen, njëra prej vajzave i ngjanë fort Letayit.

Nga frika dhe dëshpërimi pas lindjes së tyre, binjakeve nuk u kishte vënë emra. Nuk kishte kohë për këtë.

Më në fund, i biri më i vogël i Abrahas, Micheale, i pagëzoi vetë.

Njërës prej vajzave ia la emrin Aden, apo “parajsa”. Tjetrën, që i ngjason nënës, e quajti Turfu apo “e lënë vetëm”.