Botë

22 të vdekur nga mungesa e oksigjenit në Indinë e goditur nga “stuhia” e dytë

Të paktën 22 pacientë me COVID-19 kanë vdekur në një spital publik në shtetin perëndimor indian, Maharashtra, si pasojë e mungesës së oksigjenit, të shkaktuar nga rrjedhja në sistem, që ka goditur vendin në kohën e valës së rëndë të dytë të pandemisë.

Autoritetet indiane kanë nxituar të sigurojnë oksigjen për spitalet në kryeqytetin Delhi, teksa shtimi enorm i rasteve të infektimit me koronavirus ka paralizuar sistemin shëndetësor, kanë thënë zyrtarët dhe mjekët.

India, vendi i dytë më i populluar në botë, ka raportuar numrin më të madh të rasteve ditore dhe po i afrohet pikës së 297 mijë rasteve në ditë, të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishin shënuar gjatë janarit.

Qeveria në Delhi ka kërkuar ndihmë për furnizim me mjete shëndetësore nëpërmjet mediave sociale, duke paralajmëruar se sasitë aktuale të oksigjenit nëpër spitalet publike, mund të zgjasin vetëm edhe për 8 deri në 24 orë, kurse në ato private vetëm për katër deri pesë orë.

Qyteti me 20 milionë banorë ka regjistruar 28 mijë e 395 raste të reja dhe 277 vdekje vetëm gjatë së martës, shifra këto më të lartat qysh prej fillimit të pandemisë.

Çdo i treti person aktualisht po rezulton pozitiv në testet e kryera për koronavirus, kanë treguar të dhënat e Qeverisë. Kryeministri Narendra Modi ka thënë se India po ballafaqohet me “stuhinë” e koronavirusit që e ka rënduar sistemin shëndetësor. \ AP