Botë

Rrëmbimet e torturat mbërthejnë Ugandën

Ata që u rrëmbyen u dërguan në burgje, në stacione policie dhe në kazerma ushtarake, ku u ishin mbuluar kokat, u droguan dhe u rrahën - disa madje u lanë të ngujuar në bodrumet e mbushura me ujë deri në gjoks. Këto janë vetëm disa prej dëshmive të krimeve të kryera në shtetin e Ugandës, të cilat i ka dokumentuar në një shkrim të gjatë gazeta “New York Times”, tre muaj pasi presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, fitoi mandatin e gjashtë pesëvjeçar në zgjedhjet më kundërthënëse

Burra të armatosur dhe me kamionçina të bardha pa targa rrëmbyen njerëz nga rrugët ose nga shtëpitë e tyre.

Ata që u rrëmbyen u dërguan në burgje, në stacione policie dhe në kazerma ushtarake, ku u ishin mbuluar kokat, ishin droguar dhe rrahur - disa madje u lanë të ngujuar në bodrumet e mbushura me ujë deri në gjoks. Këto janë vetëm disa prej dëshmive të krimeve të kryera në shtetin e Ugandës, të cilat i ka dokumentuar në një shkrim të gjatë gazeta “New York Times”.

Frika ende është aq e dukshme në kryeqytetin Kampala, sa shumë të tjerë janë fshehur ose janë larguar nga vendi.

Tre muaj pasi presidenti i Ugandës, Yoweri Museveni, fitoi mandatin e gjashtë pesëvjeçar në zgjedhjet më të ashpra ndër vite, qeveria e tij duket se synon ta shtypë krejtësisht opozitën. Presidenti i Ugandës, vend i shtrirë strategjikisht në Afrikën Lindore, është aleat ushtarak amerikan qe një kohë të gjatë dhe përfitues i madh i ndihmës amerikane.

Shtet i kapur

Sfiduesi i tij kryesor, Bobi Wine, muzikant i kthyer në jurist, i cili elektrizoi turmat rinore të mbështetësve, tani është kryesisht i mbyllur në shtëpinë e tij në Kampala, shkruan gazeta njujorkeze. Partia e Wines njoftoi javën e kaluar se 623 anëtarë, mbështetës dhe zyrtarë të zgjedhur javët e fundit, janë kapur nga rrugët. Shumë prej tyre janë torturuar pas arrestimit e rrëmbimit.

Për shumë ugandas, zhdukjet sinjalizojnë një shkarje drejt politikave shtypëse të diktatorëve të tillë si Idi Amin dhe Milton Obote - i cili u rrëzua nga Museveni. Ugandasit tani thonë se shqetësohen se presidenti Museveni, pas 35 vjetësh në pushtet, po miraton disa nga taktikat e ashpra të përdorura nga autokratët kundër të cilëve ishte angazhuar dekada më parë.

"Unë nuk e dija nëse do të dilja i vdekur apo i gjallë", tha Cyrus Sambwa Kasato, me sytë e tij duke lëvizur ndërsa fliste, e dorën e mbante tek rruzarja rreth qafës. Këshilltar i partisë opozitare, ai tha se ishte mbajtur në selinë e inteligjencës ushtarake me duart e tij të lidhura me zinxhirë në tavan. Ai ishte rrahur nga disa burra përnjëherësh.

Presidenti Museveni ka pranuar arrestimin e 242 personave, duke i quajtur "terroristë" dhe "shkelës të ligjit", dhe pranoi se një njësi elitare komando kishte "vrarë disa syresh". Por ai mohoi që qeveria e tij po zhdukte qytetarët e saj.

Në emër të luftës kundër terrorizmit?

Nënkoloneli Deo Akiiki, zëdhënës ushtrie, i ka thënë nëpërmjet postës elektronike gazetarit të “New York Timesit” se “terrorizmi ka ndryshuar mënyrën e funksionimit të disa operacioneve të sigurisë në të gjithë botën”.

Ai mbrojti përdorimin e kamionçinave të bardha pa targa, duke thënë se përdorimi i "mjeteve të identifikueshme të transportit" nuk ishte unik për Ugandën dhe se vendet e tjera - përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britania - kanë vendosur metoda të ngjashme për t'u marrë me "kriminelë thelbësorë". Ai shtoi se oficerët ushtarakë janë të trajnuar mirë për respektimin e të drejtave të njeriut.

Paraburgimet dhe zhdukjet, në rajonin qendror të Ugandës dhe gjetkë në vend, kanë targetuar burra dhe gra të reja dhe të moshës së mesme.

Dorëzimi i kryeopozitarit

Disa nga të arrestuarit thonë se kishin mbledhur prova të manipulimit të votave për t'i paraqitur në Gjykatën e Lartë për të sfiduar rezultatet zyrtare të zgjedhjeve - që i dhanë Musevenit 59 për qind të votave kundrejt 34 për qind të rivalit Wine. Wine, që atëherë ka hequr dorë nga sfida e tij.

Shumë prej atyre që ranë dakord të intervistohen fillimisht kishin frikë të takoheshin, nga droja se gazetarët ishin në të vërtetë operativë të qeverisë. Ata kërkuan të takoheshin në hapësira publike ose në zyrat e partisë. Shumica nuk dëshironin që emrat e tyre të përdoreshin nga frika e ndëshkimit.

Ata thanë se ushtarë me uniformë ose persona të armatosur me rroba civile i çuan larg me kamionçina pa targa dhe i zhvendosën nëpër burgje, stacione të policisë dhe në kazerma ushtarake - duke e bërë të vështirë për familjet dhe avokatët e tyre për t'i gjetur.

Ata u urdhëruan të dorëzojnë provat e manipulimit të votave, të akuzuar për orkestrimin e dhunës dhe pjesëmarrjen në një komplot amerikan për të filluar një "revolucion". Museveni ka pohuar se opozita po merrte mbështetje nga "të huajt" dhe "homoseksualët" të cilët nuk e pëlqejnë "stabilitetin e Ugandës".

“Dyqanet ushtarake”

Image

Partia e Bobi Wines, muzikant i kthyer në jurist, ka njoftuar javën e kaluar se 623 anëtarë, mbështetës dhe zyrtarë të zgjedhur, javët e fundit janë kapur nëpër rrugë. Shumë prej tyre janë torturuar pas arrestimit e rrëmbimit


Disa thanë se u akuzuan në një gjykatë ushtarake për "dyqane ushtarake", përfshirë beretat e kuqe të veshura nga mbështetësit e Wines, të cilat qeveria i ndaloi në 2019.

David Musiri, anëtar i Partisë së Platformës së Unitetit Kombëtar të Wines, tha se ai ishte duke bërë pazar në një supermarket në Kampala më 18 janar kur gjashtë persona të armatosur me rroba civile e sulmuan dhe ia injektuan dy herë një substancë që ia humbi ndjenjat.

Musiri, 30 vjeç, tha se ai ishte vendosur në izolim me duar dhe këmbë të lidhura së bashku. Ashtu si shumica e të arrestuarve, ai tha që rojat e tij e morën në pyetje për atë që ata e quajtën "Plani B" - strategjia e zgjedhjes së Wines.

Ushtarët e detyruan të dëgjonte regjistrimet e thirrjeve të tij telefonike me zyrtarë partie dhe e goditën aq shumë sa ai filloi të urinonte gjak, tha ai. Kur u la i lirë katër ditë më vonë, nuk mund të ecte.

"Ne jemi njerëzit që financojmë diktatorin për të na e bërë këtë", tha ai.

Kasato, asamblist komunal, tha që oficerët me rroba civile e morën nga një mbledhje më 8 shkurt, ia mbuluan kokën në një makinë dhe e bllokuan atë.

Ai tha që burrat i kërkuan provat e manipulimeve zgjedhore që ai i kishte mbledhur dhe nëse ai i kishte dërguar ato në partinë e Winesit. Ai tha, po, i kishte.

“Sikur laku po na shtrëngohet në fyt”

Kasato, baba 47-vjeçar i 11 fëmijëve, tha se ndërsa ishte i lidhur me zinxhirë në tavan, këmbët e tij mezi preknin tokën, oficerët ushtarakë e rrahën me tel dhe ia tërhoqën lëkurën me pincë.

"Ishte një tronditje e madhe", tha ai. "Unë po lutesha thellë që vërtet t'i mbijetoja asaj torture".

Në fund të shkurtit, Kasato u akuzua për nxitje të dhunës gjatë protestave të nëntorit në të cilat forcat e sigurisë vranë dhjetëra njerëz - akuza që ai i mohon. Ai është liruar me kusht, por thekson se ende kishte dhimbje të forta fizike dhe se mjekët e këshilluan që të kërkonte kujdes mjekësor jashtë vendit.

Analistët thonë se Museveni, 76 vjeç, i cili ka drejtuar Ugandën që nga viti 1986, po përpiqet të shmangë përsëritjen e historisë. Ai vetë ishte një i ri karizmatik i akuzuar, që akuzoi paraardhësin Obote për manipulim të zgjedhjeve dhe udhëhoqi një rebelim të armatosur që pas pesë vjetësh arriti të merrte pushtetin.

Wine, 39 vjeç, emri i vërtetë i të cilit është Robert Kyagulanyi, është bërë fytyra e kësaj lëvizjeje të re, duke premtuar të shkundë politikën e zymtuar të vendit. Ndërsa fushata e tij fitoi terren vitin e kaluar, ai u arrestua dhe u rrah para se të vendosej në arrest shtëpiak.

"Ne po shohim një lëvizje drejt totalitarizmit të plotë në këtë vend", tha Nicholas Opiyo, një avokat kryesor i të drejtave të njeriut. Ai u rrëmbye dhjetorin e kaluar dhe u la i lirë, i akuzuar për pastrim parash pasi grupi i tij i avokatisë ligjore mori një grant nga Shërbimi Botëror Hebre Amerikan, një organizatë jofitimprurëse me bazë në New York.

Pas viteve të punës për të mbrojtur liritë civile në Uganda, Opiyo tha: "Unë kurrë nuk jam ndier aq i kufizuar dhe i shtrënguar sa jam sot", duke shtuar: "Ndihesh sikur laku po na shtrëngohet në fyt”.

Tmerri i “uniformave të zeza”

Autoritetet kanë filluar lirimin e disa prej atyre që u zhdukën me forcë pas javësh të protestave publike.

Në një mëngjes marsi në Kyotera, qytet 150 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit, Ugandës, u përhap lajmi se 18 nga 19 njerëzit lokalë që u zhdukën ishin kthyer.

Njëri ishte Lukyamuzi Kiwanuka Yuda, tregtar 30-vjeçar i cili u mor nga shtëpia e tij natën e 8 janarit. Yuda tha se 15 deri në 20 burra me uniforma të zeza policie kundër terrorizmit ia thyen derën, e rrahën dhe e pyetën nëse po i stërviste “rebelët”.

Për më shumë se 70 ditë, tha ai, ai dhe të tjerët të ndaluar me të mbetën të mbuluar me kapuç dhe të prangosur, duke u lejuar të ngrenë kapelat e tyre vetëm deri në buzë kur hanin një vakt në ditë.

"Ne do t'i numëronim ditët bazuar në kohën kur vinte vakti i ditës", tha ai, ndërsa vështronte vazhdimisht qiellin. Kur u pyet pse vazhdonte të ngrinte sytë lart, tha: "Më mungon dielli".

Në orët pas ribashkimit, fqinjët dhe zyrtarët lokalë u mblodhën, duke brohoritur dhe përqafuar të kthyerit. Një çadër u ngrit dhe shumë shpejt familjet mbërritën të veshura në mënyrën më të mirë, ndërsa një pastor mbante lutje falënderimi.

Por një banor u largua në heshtje.

Pasi nxitoi, Jane Kyomugisha nuk e gjeti vëllanë midis të liruarve. Vëllai, i cili është 28 vjeç, kishte kandiduar si i pavarur në zgjedhjet e këshillit lokal. Ai u rrëmbye më 19 janar dhe nuk është parë më. Kyomugisha tha se ajo ka pyetur për të në stacione të shumta policie, por më kot.

"Unë ndiej shumë dhimbje që të tjerët janë kthyer dhe vëllai im nuk është këtu”, tha ajo në një intervistë në dyqanin e saj në qytet. Çdo ditë që kalon, ndihet edhe më e pashpresë.

"Ata duhet të na tregojnë nëse ai ka vdekur", tha ajo. "Na ktheni trupin dhe lëreni që shpresa jonë të marrë fund".