Botë

OBSH-ja thotë se nevojiten më shumë hetime për të zbuluar origjinën e COVID-19

Kreu i Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka thënë se nevojiten hetime të mëtejme për të përjashtuar përfundimisht një teori se COVID-19 doli nga një laborator në Kinë.

Tedros Adhanom Ghebreyesus ka thënë të lartën se megjithëse një rrjedhje laboratorike është shkaku më pak i mundshëm, duhen studime më të gjera.

Koronavirusi është identifikuar së pari në Wuhan të Kinës më 2019. Qeveria kineze ka mohuar të gjitha akuzat se virusi ka rrjedhur nga aty.

Që nga paraqitja e parë e virusit, mbi 2.7 milionë njerëz kanë vdekur nga infektimi dhe janë mbi 127 milionë raste pozitive në botë, raporton BBC.

Një ekip ndërkombëtar i ekspertëve udhëtoi në Wuhan në janar për të provuar origjinën e virusit. Studimet e tyre u mbështetën në provat dhe faktet e dhëna nga zyrtarët kinezë.

Tedros tha se ekipi kishte vështirësi në futjen në të dhënat dhe bëri thirrje për ndarje të të dhënave më të shpejtë.

Ekipi hetoi të gjitha mundësitë, përfshirë një teori se virusi ka origjinën në Institutin e Virologjisë në Wuhan.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ishte nga ata që mbështesnin teorinë se virusi ka dalë nga një laborator. Megjithatë, një raport nga OBSH-ja dhe ekspertët e Kinës i lëshuar të martën, thotë se shpjegimi i rrjedhjes nga laboratori është i pamundur dhe se virusi me shumë gjasë ishte marrë nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër si ndërmjetës.