Botë

Rusia e Kina, fuqi me arsenale të frikshme armësh

Rishikimi i Sigurisë britanike ka identifikuar dy armiqtë kryesorë – Kinën dhe Rusinë. Por që të dyja përbëjnë sfida krejtësisht të ndryshme njëra prej tjetrës

Lënë mënjanë të gjithë eufemizmat, rishikimi i integruar britanik mbi politikat e mbrojtjes dhe sigurisë ka identifikuar dy armiq kryesorë globalë: Xi Jingpingun e Kinës dhe Vladimir Putinin e Rusisë.

Që të dy kanë prioritete të ndryshme dhe përfaqësojnë sfida radikalisht të tjera.

Kina ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes gjatë dekadës së fundit, për të mbërritur në 1.355 biliardë jenë (152 milionë funte) për 2021. Dhe analizat kanë treguar se vendi shpenzon larg më tepër në mbrojtje sesa që publikisht deklaron, ka raportuar e përditshmja britanike “The Telegraph”.

Më 2017, presidenti Xi Jinping kishte shpalosur planin që Ushtria Çlirimtare e Popullit të shndërrohet në trupë të “klasit botëror”, me aftësi për të “zhvilluar dhe fituar” lufta globale deri më 2049. Dhe Kina nuk ka humbur shumë kohë në shtimin e arsenalit dhe kapaciteteve të saja.

“Përveç shpenzimit direkt ushtarak, Kina ka investuar majmë si në sektorin shtetëror ashtu edhe në kompanitë private të mbrojtjes për gjenerimin e teknologjive të reja – duke u rënë kambanave të sigurisë në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me mençurinë e partneritetit me institucionet kineze”, ka shkruar gazeta.

Image

Fuqia detare e Kinës

Rezultatet flasin vetë. Marina kineze tashmë është më e madhja në botë, me përafërsisht 350 anije dhe nëndetëse, përfshirë mbi 130 anije të mëdha luftarake. Pritet që të ketë edhe pesë aeroplanë-bartëse të gatshëm për lundrim deri më 2030 dhe është duke e zgjeruar ngutshëm flotilën e saj të shkatërruesve. Ka zhvilluar raketa precize me rreze të gjata veprimi, si dhe raketa balistike, radarë të paralajmërimit të hershëm dhe sisteme të mbrojtjes ajrore për ta mundësuar dominimin në hapësirën ajrore të Paqësorit. Dhe ka prezantuar edhe armatimin hipersonik, të destinuar për nxitjen e shqetësimeve mes amerikanëve.

“Të gjitha këto janë shkak alarmimi jo vetëm për kryeqytetet perëndimore, por edhe për Tajvanin, Vietnamin dhe Filipinet, të gjitha këto që kanë arsye për t’iu frikësuar fuqisë madhore detare të Kinës”, ka shkruar gazeta në portalin e saj.

Javën e shkuar, njëzet aeroplanë kinezë kishin hyrë në hapësirën ajrore të Tajvanit në inkursionin më të madh deri më tani. Por Armata Popullore e Çlirimit nuk është detyrimisht e pathyeshme.

Ushtria ballafaqohet me sfida të mëdha në fushën e personelit, duke u përballur me telashe në rekrutime, trajnime dhe mbajtjen e ushtarëve profesionalë. Ndërkaq, ballafaqohet edhe me një krizë morale, të ushqyer nga korrupsioni i gjithmbarshëm.

Dhe, nga ana tjetër, nuk ka zhvilluar asnjë luftë në më shumë se 40 vjet.

“Se si kjo ushtri do të performonte realisht në një fushëbetejë është ‘pyetje prej një milion dollarësh’”, ka thënë për “Telegraph” Skylar Mastro, një eksperte e politikave kineze të sigurisë në Universitetin e Stanfordit dhe pjesëtare e organizatës “American Enterprise Institute”.

“Asnjë oficer në ushtrinë amerikane nuk konsideron se urdhrat mund të mos kryhen... nëse i thoni një ushtari ta ngrejë në erë një kodër, ai do ta ngrejë”, ka shtuar ajo.

“Në Kinë, ekziston një paqartësi e madhe nëse trupat faktikisht do të vrapojnë drejt fishekëve, në vend të larg tyre”, ka shtuar ajo. “As vetë Xi Jinping nuk e di këtë dhe kjo është arsyeja që e nxit kujdesin më të madh në udhëheqjen kineze, në paqartësi se si në fakt do të mund të performonte ushtria kineze”.

Xi është munduar që ta luftojë këtë sfidë morale me thirrje të shpeshta adresuar ushtarëve për të qenë “të gatshëm për luftë”. Mirëpo, ekspertët kanë theksuar se shtetet perëndimore duhet të mendojnë për shumëçka më tepër se për atë sesa anije dhe tanke mund të përdorë Kina.

Ajo nuk është më duke “u fshehur dhe duruar”, një doktrinë kjo e Deng Xiaopingut që parasheh që vendi t’i fshehë kapacitetet teksa ballafaqohet me botën e jashtme. Në vend të kësaj, është duke u projektuar si një fuqi botërore me qëndrime përherë më të përforcuara ekonomike, politike dhe diplomatike. Ndërkaq, shqetësimet janë shtuar edhe për sa u përket kapaciteteve kinezeve për luftë kibernetike.

“Për më tepër, shumë analistë besojnë se iniciativa ‘Rrip dhe Rrugë’ prej 1 trilion dollarësh, që njëherësh është programi esencial investues i vendit në botë, mund të përkthehet në një levë të rëndësishme të vendit për sa i përket shfaqjes në të ardhmen si forcë globale ushtarake”, ka shkruar “Telegraph”.

Kapacitetet ndryshe të Rusisë

Për dallim prej Kinës, Rusisë i mungon fuqia enorme ekonomike. Por edhe ajo ka investuar majmë në kapacitetet ushtarake, që nga fillim i viteve 2000.

Sivjet, dy e treta e buxhetit ushtarak të Rusisë do të shpenzohet për blerjen dhe modernizimin e pajisjeve ushtarake. Shefi rus i Mbrojtjes, në raportin vjetor për Dhomën e Lartë të Parlamentit një vit më parë, është kapardisur se Rusia ka dyfishuar kapacitetet ushtarake gjatë tetë vjetëve të fundit, në ballafaqimin me kërcënimin në rritje nga NATO-ja.

“Rusët besojnë se tanket i fitojnë luftërat, dhe tani janë të gatshëm për një betejë të madhe tankesh kundër Ukrainës apo vendeve të tjera, dhe janë duke ndërmarrë trajnime dhe duke i demonstruar kapacitetet për mobilizimin e shpejt të qindra e mijëra burrave dhe pajisjeve të shumta”, ka thënë Pavel Felgenhauer, një analist ushtarak në Moska, duke folur për “The Telegraph”.

Rusia tani numëron flotën më të madhe të tankeve në botë, duke pasur në posedim më shumë se 15.000 tanke. Me 900.000 trupa, ajo do ta kishte avantazhin numerik në një luftë të mundshme “mbarë-evropiane”. NATO-ja llogaritet se nuk ka më shumë se 10.000 trupa afër kufirit me Rusinë.

Dhe veç të tjerash, ka shkruar “Telegraph”, Rusia ka zgjeruar ndikimin ushtarak jashtë vendit.

Përveç në Siri, vendi besohet se ka vendosur edhe mercenarë nëpër zona të ndryshme të konfliktit, si në Libi dhe Republikën Qendrore të Afrikës.

Nga këndvështrimi i Kremlinit, krejt kjo justifikohet me një kërcënim të madh.

“Një vit para aneksimit rus të Krimesë dhe përfshirjes së vendit në konflikt ushtarak në lindje të Ukrainës, gjenerali Valery Gerasimov, shef i stafit të përgjithshëm ushtarak rus, ka mbajtur një fjalim më 2013-n për ta paralajmëruar Kremlinin se SHBA-ja dhe shtetet perëndimore po zhvillojnë luftë të maskuar përreth botës, nëpërmjet nxitjes së protestave dhe mbështetjes së ndryshimit të regjimeve”, ka shkruar britanikja.

Këtë ide, presidenti Vladimir Putin e ka cilësuar si zhvillim të një lufte hibride perëndimore ndaj Rusisë.

Për dallim prej Kinës, ushtria e Rusisë është e “regjur” në beteja.

Luftërat në Çeçeni, Gjeorgji, Ukrainë dhe Siri u kanë ofruar ushtarëve dhe komandantëve përvojë të konsiderueshme në luftimin e kundërshtarëve dhe kryengritësve.

Entuziazmi i ri rus për aventurizëm ushtarak, ka shkruar “The Telegraph”, nuk ka qenë pa pengesa. Përleshja midis mercenarëve rus Wagner – që teknikisht nuk janë nën komandën e ushtrisë rusë – dhe forcave amerikane në Siri më 2018 kishte përfunduar me katastrofë. Edhe sistemet ruse të mbrojtjes ajrore “Pantsir” kanë pësuar rëndë në duart e dronëve turq në Libi, vitin e shkuar.

Megjithëkëtë, presidenti Putin ka shtangur botën më 2018 me prezantimin, nëpërmjet një adresimi para kombit, se sa larg mund të udhëtojnë raketat bërthamore ruse. Në videot e gjeneruara me kompjuterë shihej se si raketa bërthamore e godisnin jugun e Floridas – në një përpjekje të qëllimshme për ta rrokur vëmendjen e Perëndimit, ka thënë Felgenhaueri për gazetën.

“Besojmë se nëpërmjet demonstrimit të gjithë këtyre armëve të tmerrshme, Moska synon që ta bindë Perëndimin për të bërë koncesione politike dhe se do ta kuptojë se të luftuarit me Rusinë nuk është opsion”, ka shtuar ai.