Botë

I dyshuari për sulmin në Colorado ngarkohet për 10 vrasje

I dyshuari 21-vjeçar për masakrën e së hënës në një market të Colorados, gjatë së cilës kanë mbetur të vdekur dhjetë persona, ngarkohet me 10 akuza për vrasje të shkallës së parë, ka bërë të ditur të martën policia shtetërore.

Ahmad Al Aliwi Alissa nga Arvada, në afërsi të Denverit, akuzohet se hapi zjarr të hënën pasdite, sipas kohës lokale, në dyqanin “King Soopers”, në qytetin universitar Boulder, duke lënë të vdekur persona të moshave prej 10 deri në 65-vjeçare.

Policia ka vënë të dyshuarin në mbajtje, më pak se një orë pas raportimit të të shtënave. Sulmuesi, i qëlluar në këmbë në rrethana ende të pasqaruara, është dërguar në burgim, pas trajtimit të mëhershëm në spital, kanë bërë të ditur autoritetet.

Ende nuk është zbardhur motivi i sulmit, njërit prej më të rëndëve në SHBA gjatë javës, teksa hetuesit janë përqendruar në identifikimin e shkaktarit. Autoritetet besojnë se ai ka vepruar i vetëm, i pajisur me një kallashnikov.

Policia ka identifikuar gjithashtu emrat e të vrarëve - Denny Stong, 20; Neven Stanisic, 23; Rikki Olds, 25; Tralona Bartkowiak, 49; Suzanne Fountain, 59; Teri Leiker, 51; polici Eric Talley, 51; Kevin Mahoney, 61; Lynn Murray, 62; dhe Jody Waters, 65.

“Zyrtarët e rendit kanë shkëmbyer zjarr me Alissan brenda dyqanit, por nuk është bërë e ditur se ka përfunduar i plagosur sulmuesi”, ka thënë shefi i policisë në Boulder, Maris Herold.

Sulmi ka ndodhur vetëm gjashtë ditë pas një tjetër sulmi në zonën e Atlantas, ku të vdekur kanë mbetur tetë persona. Vrasjet e fundit e zgjerojnë listën e gjatë të sulmeve të rënda me armë zjarri në Colorado, të cilat konsiderohen si episodet më shokuese të dhunës me armë në historinë moderne të SHBA-së.