Botë

Lufta për demokraci, torturat dhe ikja me not nga Lukashenko

Ata kanë dashur demokraci. Në vend të kësaj, tani thonë se janë rrahur dhe përdhunuar nga policia

Sergei po qëndronte mbi një shtresë akulli në lumin Dnieper dhe po e thithte ajrin e ftohtë akull. Kishte ikur, por ky çlirim i ishte errësuar, si nga dhembja e largimit prej atdheut ashtu edhe nga frika se mund të mos i mbijetojë pjesës së mbetur të rrugëtimit të rrezikshëm.

Ishte i kërkuar, përsëri, nga policia bjelloruse. Veçse ishte burgosur verën e shkuar dhe ishte rrahur në arrest, vetëm pse kishte protestuar kundër fitores zgjedhore të shpallur nga presidenti Alexander Lukashenko. Të tjerët, me të cilët ai kishte ndarë qelinë e burgut, ishin arrestuar dhe e kishte më se të qartë se policia së shpejti do t’i vihej pas edhe atij. S’donte fort mend, duhej të ikte.

Rrëfimi i tij, i shpalosur hollësisht në një shkrim të agjencisë CNN, është një tregim i jashtëzakonshëm i ikjes drejt lirisë. Ai e kaloi kufirin drejt Ukrainës paligjshëm, dhe nuk ka qenë në gjendje që të ecte përgjatë maleve dhe të kalonte shtresat e akullta, sikurse shumë të tjerë përpara tij. Në nxitim, dhe i rrethuar nga akujt në shkrirje, Sergei veshi kostumet dhe lopatat e këmbëve që kishte marrë me vete – dhe notoi.

Dokumentimi i tmerrit

Në një video që e xhiroi me telefon në gjysmë të rrugëtimit dyorësh, në natën e Vitit të Ri, ai e dokumentoi një pjesë të ikjes së tij që përfshinte jo vetëm notimin në temperatura të ngrira dhe në mjegull të dendur, por edhe zvarritjen nëpër akull dhe llum. I këtillë ishte dëshpërimi i tij për të ikur.

“Çorapet po më ngrijnë mbi akull. Do të mundohem të zvarritem deri aty dhe shpresoj se nuk do të ngrij”, ka thënë ai në njërën prej videove të postuara. “Po orientohem sipas yjeve. Ndjenja është e papërshkrueshme dhe jam krejtësisht i vetëm këtu”.

Me qindra e mijëra bjellorusë kanë marrë pjesë në protestat përreth vendit vitin e shkuar, pasi Lukashenko shpalli fitoren në zgjedhjet e gushtit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i shpallën votimet të manipuluara dhe u vendosën sanksione zyrtarëve bjellorusë shkaku i mashtrimeve dhe shtypjes pasuese brutale.

Sergei, i cili i kërkoi CNN-së që të mos ia zbardhte hollësitë rreth rrëfimit të tij dhe identitetin e vërtetë, tani ka kërkuar azil në një shtet tjetër. Rrëfimin e tij e ka ndarë me CNN-në ashtu që të afërmit që i ka lënë prapa vetes në Bjellorusi të mund të lexojnë një ditë se çfarë i kishte ndodhur.

Image

“E braktisa vendin tim, miqtë dhe familjen, me pikëllimin e mposhtjes”, ka thënë ai për agjencinë. “Thjesht u bëra refugjatë dhe më duhej të nisja nga e para, sikur krejt ato që i kisha arritur për vite përnjëherë të mos vlenin gjë. Edhe sot e kësaj dite jam mendërisht i rraskapitur dhe pa gjumë, nga frika për ata që kam lënë pas”.

CNN-ja ka biseduar me disa bjellorusë të tjerë, të cilët kanë ikur nga represioni i regjimit të Lukashenkos, duke e kaluar ilegalisht kufirin në Ukrainë. Intervistat janë pjesë e një hulumtimi dymujor mbi shtypjet përbrenda shtetit. Në dhjetëra intervista, protestuesit dhe aktivistët opozitarë kanë thënë për CNN-në se kanë pësuar tortura – nisur prej rrahjeve sistematike deri te përdhunimet me shkop policie.

“Të ikurit nga forcat policore kanë pajisur gjithashtu CNN-në me video nga vetë arkivi policor – kamerat e trupit, kamerat e veturave dhe pamjet e mbikëqyrjes – që e shpërfaqin egërsinë e jashtëzakonshme të policisë kundër protestuesve të paarmatosur dhe paqësorë, shumica rioshë”, ka shkruar CNN-ja.

Regjimi i Lukashenkos, kanë thënë aktivistët, ka zbutur paksa taktikat gjatë javëve të fundit, teksa frika ka mbërthyer lëvizjen opozitare. Megjithëkëtë, mes aktivistëve mbizotëron frika se shtypja do të intensifikohet në prag të thirrjes mbarëkombëtare për protesta më 25 mars.

Fati i lëvizjes protestuese të Bjellorusisë ka fituar rëndësi edhe më të madhe muajve të shkuar, kurse protestat antiqeveri janë përhapur përbrenda Rusisë fqinje kundër tentimvrasjes dhe burgosjes së Alexey Navalnyt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e mbështeti ngutas Lukashenkon në prill, me një hua 1.5 miliardë dollarësh dhe asistencë tjetër të paspecifikuar. Protestat bjelloruse, megjithatë, kanë vazhduar. Analistët që kanë folur për CNN-në kanë thënë se Kremlini është i shqetësuar, si për lëvizjen e vazhdueshme protestuese për demokraci në fqinjësi të tij, ashtu edhe për ndikimin e nivelit të pashembullt të dhunës policore ndaj një gjenerate më të re të bjellorusëve, kah të cilët ka kthyer sytë Moska.

“Këto veprime të dhunshme kanë rrënuar legjitimitetin e autoriteteve bjelloruse mes vetë popullit dhe komunitetit ndërkombëtar”, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit, pasi që CNN-ja ia paraqiti të dhënat.

“M’i preu të brendshmet me thikë”

Pamjet e kamerave të sigurisë nisin me një veturë policie që ndjek një nga kamionët përplot me policë. Është 13 nëntori 2020, dhe automjeti po i bartte aktivistët sa më larg demonstratave në qendër të Minskut. Vetura ndalon dhe pastaj kërdia shkatërruese policore fillon.

“Në pamje shihen shkopinjtë tek i thyejnë dritaret e veturës. Një polic shtiu drejt veturës. Protestuesit tërhiqen dhunshëm dhe detyrohen të shtrihen me fytyrë përtokë në asfalt”, i përshkruan pamjet CNN-ja.

Raste të dhunës seksuale ndaj policëve janë raportuar gjithashtu nga burrat dhe gratë.

Andrey, një protestues nga Minsku, ka treguar për CNN-në se ishte përdhunuar me një shkop policie në përpjekjen e policëve për ta detyruar që ta hapte telefonin. Ata synonin që t’i identifikonin shokët e tij. Por ai kishte refuzuar.

“Thjesht më goditën përsëri. Aktualisht, mbase kam traumë në tru, ngase ndihemi vërtet i trullosur. E kisha të vështirë që fare të lëvizja”, ka thënë ai për agjencinë amerikane.

Atëherë një polic e kishte kërcënuar se do ta sulmonte me shkop. Mandej ua kërkoi kolegëve një kondom për ta mbërthyer armën dhe e mori një thikë nga kolegu.

“M’i preu të brendshmet me atë thikë. Më kërkoi sërish t’ia jepja fjalëkalimin. Refuzova përsëri dhe mandej e bëri atë që bëri”, ka rrëfyer Andrey.

Sa ndjente dhembje po aq edhe shokim se një person mund t’ia bënte një gjë të tillë tjetrit.

Ministria e Brendshme bjelloruse, Ministria e Jashtme dhe Zyra e Kryeministrit nuk u janë përgjigjur thirrjeve të CNN-së për t’i komentuar pamjet e dhunës dhe të brutalitetit policor.

Në një tjetër video-pamje të rrjedhur nga policia, shihen protestat e tetorit dhe arrestimet e dhjetëra demonstruesve. Njëra prej tyre ishte Anya, një rioshe, që nuk pranoi ta tregonte emrin e saj për shkaqe sigurie. Ajo i iku një vargu të policëve, të cilët po hidhnin granata drejt protestuesve. Shpërthimi që e kapi atë ishte xhiruar në video.

“Nuk rashë”, ka treguar ajo për CNN-në. “Jam ngrirë si një dre, mendoja, merrja frymë, shikoja përreth”. Ajo ka thënë të mos mund të besonte se ishte marrë qëllimisht në shënjestër dhe se në spital kishte mbërritur me ndihmën e protestuesve. Lëndimet në trupin e saj ishin të papërshkrueshme e dhembjet të padurueshme. Megjithëkëtë, qe shëruar.

Ajo kishte ikur nga Bjellorusia pasi që policia nisi sërish t’i bënte presion. Tani, Anya shpreson që ndryshimi në Bjellorusi të vijë për gjeneratën e ardhshme, teksa thotë se derisa protestat aktuale paqësore nuk kanë funksionuar, një lloj ndikimi megjithatë e kanë bërë.

“Është një thënie mes bjellorusëve tani se ne përnjëmend nuk e kemi njohur njëri-tjetrin deri në verë”, ka thënë ajo.

Dëshira e gjeneratës së saj për ndryshim të gjithmbarshëm është një halë jo vetëm në syrin e Lukashenkos, por edhe në të Kremlinit. Disa analistë i kanë sugjeruar CNN-së se Putini është i interesuar që të anojë tepër ngushtë kah Lukashenko dhe shtypja e tij brutale, ashtu që ta shmangë kthimin e bjellorusëve të rinj kundër Moskës, përgjithmonë. Për këtë, mund të jetë bërë tepër vonë.

“Lukashenko nuk do të ishte kaq arrogant dhe mizor pa garancinë se Rusia do t’i dalë krah përgjithmonë”, ka thënë Anya.