Botë

Rasti Khashoggi: Kërcënohet me vdekje hetuesja e OKB-së

Foto: Reuters

Një zyrtar i lartë saudit ka adresuar një paralajmërim që u interpretua si kërcënim me vdekje ndaj hetueses së pavarur të Kombeve të Bashkuara, Agnes Callamard, pas hetimit të saj lidhur me vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi.

Në një intervistë për të përditshmen britanike “The Guardian”, raportuesja e posaçme në largim për vrasjet me paramendim ka thënë se kolegët e kishin njoftuar në janarin e vitit 2020 se një zyrtar i lartë saudit ishte kërcënuar dy herë, gjatë takimeve me zyrtarët e lartë të OKB-së në Gjenevë, se do “të kujdesej” për Callamardin po qe se ajo nuk frenohet nga OKB-ja. E pyetur se si ishin perceptuar këto fjalë nga kolegët në Gjenevë, Callamard është përgjigjur prerazi: “Kërcënim me vdekje. Kështu janë kuptuar”.

Callamard, shtetase franceze dhe eksperte e të drejtave të njeriut që gjatë muajit do ta nisë detyrën e re si sekretare e përgjithshme e “Amnesty International”, ishte zyrtarja e parë që e hetoi publikisht dhe e publikoi një raport të hollësishëm mbi vrasjen e Khashoggit më 2018. Raporti i saj prej 100 faqesh kishte konstatuar se ekzistojnë “dëshmi të besueshme” se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, dhe zyrtarë të tjerë të lartë ishin përgjegjës për vrasjen. Raporti e kishte cilësuar gjithashtu vrasjen si një “krim ndërkombëtar”.