Botë

Romanca e Indisë me Perëndimin

Në ndryshimin e madh gjeopolitik në botë, New Delhi po afrohet njëherësh me disa fronte

Me pretendimin se “’Quad’ ka arritur moshën e pjekurisë”, sikurse u tha në Samitin e javës së kaluar të dialogut katërpalësh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë dhe Australinë, kryeministri indian, Narendra Modi, ka përçuar sinjalin e pagabueshëm se India më nuk heziton të bashkëpunojë me Perëndimin në arenën ndërkombëtare, vlerëson C Raja Mohan, drejtor i Institutit të Studimeve Jugaziatike në Universitetin Kombëtar të Singaporit.

Në analizën e tij në revistën politike amerikane “Foreign Policy”, Mohan, ish-anëtar i Bordit Këshillimor të Sigurisë Kombëtare të Indisë, këtë hap e sheh si një romancë të Indisë me Perëndimin në kohën kur po ndryshon baraspesha e fuqisë politike të shteteve të ndryshme në botës, sidomos në Azi. Një prej arsyeve për këtë ndryshim të politikës së jashtme indiane ka ardhur për shkaqe të sigurisë. Gatishmëria indiane për të marrë pjesë në forume indiane shënon një kthesë vendimtare në pikëpamjen e pavarur të Indisë për zhvillime botërore. “Kjo pikëpamje është përcaktuar kaherë prej idesë së mosinkuadrimit dhe avatarit të pastajmë, autonomisë strategjike – e që të dyja nuk përkonin, nëse jo nuk ishin edhe të kundërta me aleancat perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Por sot, prirë prej ndryshimit të baraspeshës së fuqisë në Azi, pikëpamja e qartë e Indisë për interesin e vet nacional dhe përpjekjet e pareshtura e të suksesshme të presidentëve amerikanë, ka ardhur koha që India të flasë përherë e më shumë për hapat e rëndësishëm drejt Perëndimit”, shkruan Mohan në analizën e tij të gjatë për zhvillimet botërore dhe rajonale politike, të cilat po diktojnë ndryshime të rëndësishme në qasjen e politikës së jashtme të njërit prej shteteve më të fuqishme të Azisë.

“Quadi” nuk është institucioni i vetëm me të cilin mund të lidhet India. India pritet të angazhohet edhe në një mori forumesh perëndimore në të ardhmen, përfshirë edhe në G7 dhe në atë që njihet si Pesë Sytë. Britania e Madhe e ka ftuar Indinë që të marrë pjesë në takimin e shtatë shteteve më të zhvilluara të botës gjatë verës në Londër, bashkë me Korenë Jugore dhe Australinë, vende joanëtare. Megjithëse India është ftuar në forume të ngjashme të shtatë vendeve më të zhvilluara – por të profilit më të ulët të përfaqësimit – për vite me radhë, takimi i Londrës shihet me të madhe si mundësi testuese për krijimin e “Grupit demokratit të dhjetëshes”, ose shkurt D-10.

Ka pasur edhe shumë diskutime dhe ide të ngjashme për koalicione teknologjie, të prira prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të reduktuar varësinë aktuale perëndimore nga Kina. Dy nisma janë shpalosur në samitin e “Quadit” – grupi punues për teknologjitë kritike dhe nisma për vaksinë për furnizim të Azisë Juglindore – spikasin prospektet e rolit indian në zinxhirët e besuar teknologjikë furnizues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tyre.

Bashkë me Japoninë, India i është bashkuar takimit të Pesë Syve – aleancë e ndarjes së inteligjencës ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Britanisë, Australisë dhe Zelandës së Re – në tetorin e vitit 2020 për të diskutuar shtigjet për t’i dhënë bazë ligjore qasjes së agjencive në komunikime të inkriptuara në platforma si “WhatsApp” dhe “Telegram”. Mohan thotë se nuk pret se India do të anëtarësohet së shpejti në Pesë Sytë. “Por ka shumë mundësi të imagjinohen konsultime më të mëdha ndërmjet Pesë Syve dhe establishmentit indian të inteligjencës”, vlerëson Mohan.

Megjithëse SHBA-ja dhe India e mohojnë se “Quad” është një aleancë ushtarake, kjo vetëm sa e afron edhe më shumë para krijimit përfundimtar të një koalicioni sigurie me Perëndimin. “Megjithëse India nuk ka nënshkruar ndonjë pakt të ngjashëm aleance me Bashkimin Sovjetik më 1971, menjëherë ishte tërhequr pasi Bangladeshi u nda nga Pakistani”, shkruan Mohan. Megjithëse India asnjëherë nuk i ka përjashtuar koalicionet momentale, ideja për një koalicion me vende të ndryshme perëndimore më nuk përbën tabu në Delhi.

“India natyrisht se do të jetë një tjetër lloj partneri sesa aleatët e tanishëm evropianë dhe aziatikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkruhet në analizën e studiuesit Mohan në “Foreign Policy Magazine”. India ka dobi nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara, sikurse kanë edhe këto të fundit. Duke parë madhësinë dhe rolin e saj në Azi, pa dyshim se kontributi i Indisë mund të jetë qenësor për sigurinë në Azi. Mohan shkruan se India mund të bëhet pjesë e rëndësishme e zhvillimeve gjeopolitike të lidhura me Oqeanin Paqësor dhe me atë Indian, duke pasur parasysh përplasjet e mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës në rajon. Megjithatë, mbetet të shihet nëse India do të bëhet pjesë e ndonjë traktati aleatësh.

“Duke parë historinë e Indisë, asnjë prej kësaj më nuk mund të jetë befasi e plotë”, shkruan Mohan. Mohan kujton se si India kishte kontribuar theksueshëm në radhët e aleatëve gjatë Luftës së Parë Botërore dhe Luftës së Dytë Botërore. Më shumë se një milion indianë e më shumë se dy milionë të tjerë do të shërbenin për të fituar në luftën kundër bllokut të prirë nga Gjermania naziste. “Fakti se India atëherë nuk ishte e pavarur nuk cenon rolin kritik të ushtarëve dhe burimeve indiane për formësimin e rezultateve të konflikteve”, shkruan ai.

Duke vlerësuar se do të ishte goxha e arsyeshme që të merrej me mend një partneritet eventual me Perëndimin për shkak të faktit se aleatët kishin fituar luftën dhe krijuan rendin e ri botëror, Mohan fajëson sunduesit kolonialë britanikë për shkurtpamësi për konfrontimin me Lëvizjen kombëtare indiane gjatë periudhës ndërmjet dy luftërave që do të rezultonte më vonë edhe me ndarjen e Pakistanit. Shteti pakistanez pati lidhje goxha të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Britaninë në kohën kur India kishte zgjedhur të mos kishte rol kritik në rendin ndërkombëtar. “’Quad’ sugjeron se ne mund të kemi arritur në fundin e ciklit të plotë. Është dashur kohë e gjatë, por India mund të rishfaqet si partner i natyrshëm për Perëndimin në Lindje – kësaj here bazuar në kushte që e vënë Indinë në situatë më të fuqishme për të negociuar me Shtetet e Bashkuara dhe me aleatët e tyre”.