Botë

Dekada e përgjakshme e Sirisë

Nt: Çfarë kishte nisur si kryengritje popullore kundër diktatorit Bashar al-Assad është transformuar në konflikt përplasjesh aleancash e interesash kombëtare e ndërkombëtare, që nuk po i shihet kurrkund fundi. Dhe gjatë disa udhëtimeve të shumta të gazetarit të revistës gjermane “Der Spiegel”, Christopher Reuter, është dëshmuar kaosi e shkatërrimi i pafundmë

Nuk ishte i nxehti përvëlues që po e vështirësonte rrugëtimin e gazetarit gjerman, por shtegtimi nëpër shtigje të rrezikshme. Në rrugën e asfaltuar, gazetari i revistës gjermane “Der Spiegel”, Christopher Reuter, po i jepte makinës në një rrugë ku nuk lëvizte asnjë makineri tjetër.

“Nuk bën të vazhdoni më tutje”, do t’i thoshte një kalimtar gazetarit, në njërën prej rrugëve të asfaltuara të vendit të zhytur në kaos. Siria ka mbushur dhjetë vjet prej kur është përfshirë në një luftë civile, që në fakt kishte nisur si një kryengritje paqësore kundër diktatorit Bashar al-Assad, kur fryma e Pranverës Arabe kishte nisur të shpërndahej në mbarë shtetet e Lindjes së Mesme.

Përshkallëzimi

Por, protestat që nisën si paqësore shumë shpejt do të ktheheshin në lëvizje kryengritëse e të armatosur, për shkak se forcat e sigurisë dhe aparati sekret shtetëror i Assadit nisi të përdorte armët dhe arsenalin e rëndë ushtarak kundër sirianëve që po protestonin paqësisht. Vendi u zhyt në anarki, me krijimin e grupeve të ndryshme opozitare që rrokën armët kundër regjimit të familjes që po kontrollonte gjithçka në shtetin sirian.

“Për muaj me radhë, njerëzit kishin dalë në rrugë në qytetet e mbarë vendit prej shkurtit kur nisën marshimet paqësore”, kujton Reuter udhëtimin e tij të parë në gushtin e vitit 2011. Ai tregon se si një ditë pas mbërritjes për të raportuar nga Siria ishin vrarë dhjetë demonstrues. Madje, ishin qëlluar për vdekje edhe qytetarët që po merrnin pjesë në varrimin e viktimave të një dite më parë.

Qyteti i Homsit ishte një prej vatrave kryesore të pakënaqësisë popullore, ku aparati shtetëror do të mundohej ta shtypte revoltën me përdorimin e dhunës.

“Tashmë janë bërë dhjetë vjet prej se sirianët dolën në rrugë për herë të parë pas pesëdhjetë vjetësh. Në mesmarsin e vitit 2011, mijëra qytetarë marshuan në qytetin jugor Daraa, pavarësisht të shtënave të shkrepura në drejtim të turmës”, kujton Reuter në shkrimin e tij të gjatë, në të cilin ua bën një kronologji të hollësishme të gjitha rrjedhave të pastajme.

Revolta që nisi me disa grafite

Gjithçka kishte nisur në shenjë pakënaqësie pas arrestimit të disa tinejxherëve që dyshohej se kishin shkruar grafitet kritike ndaj regjimit, në muret e shkollës së tyre. Tinejxherët ishin torturuar dhe autoritetet fillimisht kishin refuzuar që t’i lironin, pavarësisht lutjeve të familjeve të tyre. Por, ky do të ishte vetëm fillimi brutal i asaj që do të pasonte. Dhe do të përshkallëzohej dhunshëm e përgjakshëm në mbarë vendin, derisa Assadi nuk po linte mjet pa përdorur për t’i ruajtur frerët e pushtetit.

“Megjithatë, ky ishte fillimi i frikës – frikës së njëjtë që fotoreporteri Marcel Mettelsiefen dhe unë e përjetuam për herë të parë para dhjetë vjetësh në Homs”, kujton Reuter.

Dhe kur tani tregohet historia se si nisi gjithçka para një dekade, nuk është se kujtohen shumë momentet e para se si nisi gjithçka. Atëherë kur pakkush kishte menduar se në këtë luftë do të përdoreshin armët kimike, tanket, do të përfshiheshin xhihadistët, bombarduesit rusë dhe do të mbesnin të vrarë më shumë se 400 mijë sirianë. Lufta civile në Siri do ta shkaktonte edhe eksodin më të madh të refugjatëve pas Luftës së Dytë Botërore në mbarë botën.

“Dorë e zgjatur e Izraelit”

Por, muajt e parë konsiderohen vendimtarë për të kuptuar thelbësisht çfarë donin protestuesit paqësorë. “Në fillim, neve vrojtuesve na dukej se sirianët po guxonin t’i vazhdonin marshet e tyre për një kohë të pacaktuar. Të premte pas të premteje, ata kërkonin reforma, fund korrupsionit dhe, në fund të fundit, fundin e diktaturës së familjes Assad, që ishte në krye të vendit prej vitit 1970”, shkruan Reuter. “Kundërvënia e regjimit asnjëherë nuk ndryshoi: dhunë dhe rrena. Në Darra, televizioni shtetëror raportonte se ‘bandat e armatosura’ kanë dalë në rrugë, të kontrolluar dhe të armatosur nga Shërbimi sekret izraelit. Gjithçka, ngulmonte, ishte konspiracion sionist. Për të qenë të sigurt, një pretendim grotesk, por krejt kjo pjesë e strategjisë për ta shmangur zbatimin e reformave të vërteta”.

Dhe ata që atëherë kishin dalë në marshet paqësore përnjëmend besonin se protestat paqësore do të mund të shkaktonin ndryshim. Mbi të gjitha, autokratët në Tunizi dhe Egjipt ishin shtrënguar të largoheshin nga pushteti, derisa Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kishte hapur rrugën për një kundërpërgjigje ushtarake kundër diktatorit libian, Muammar Gaddafi, trupat e të cilit po mundoheshin të avanconin në Libi.

“Nuk i gjunjëzohemi askujt, pos Zotit”

Në mbarë Sirinë, komitetet vendase u pajtuan për moton e përbashkët për të gjithë demonstratat e së premteve. E përzgjedhura për 12 gushtin e vitit 2011 ishte: “Nuk i gjunjëzohemi askujt, pos Zotit”. Nuk ishte slogan me motive fetare, sepse më shumë përfaqësonte kundërvënien ndaj reagimit sfidues të diktaturës së Assadit: “Gjunjëzoheni dhe nënshtrohuni! Ose do të vdisni urie dhe do të shfaroseni!” Ky në thelb ishte mesazhi i pandryshuar i trupave qeveritare.

Dhe, në të vërtetë, kërcënimi me shkatërrim gjithnjë ka funksionuar në “Sirinë e Assadit”, sikurse thuhet në fjalinë e mikpritjes për të porsaardhurit në Aeroportin e Damaskut. Në vitin 1982, trupat elitare, nën kontrollin e themeluesit të dinastisë, Hafez al-Assad, shkatërruan krejtësisht hise të mëdha të qytetit të revoltuar të Hamas, duke masakruar mijëra banorë të tij. Prej atij momenti kërcënimi funksionoi edhe në mbarë pjesët e tjera të vendit. Dhe vazhdoi të kishte rezultate edhe më 2011 në Hama: pasi u bë një prej vatrave më të mëdha të protestave masive në vend në korrikun e atëhershëm, qyteti shumë shpejt u kthye në cak të trupave ushtarake që po shkrepnin armët në drejtim të qytetarëve të pafajshëm.

Por, në Homs, Halep, Deir ez-Zor, Daraa, Zabadani dhe periferitë e Damaskut e qindra qyteza të tjera, kërcënimi nisi ta humbiste efektin, sikurse edhe po davaritej shpresa për reforma paqësore në vend. Ose sikurse do t’i thoshte një sipërmarrës i krahinës së Idlibit ekipit të revistës gjermane: “E adhuroj Mahatma Gandin! Por, në Siri ai do të varej brenda një jave”.

Pritje të ndryshme

Kanë kaluar dhjetë vjet prej shpërthimit të pakënaqësisë popullore. Dhe tashmë bota duket sikur është mësuar me tmerret e kësaj lufte. Por, gjatë udhëtimeve të ndryshme ndër vite, të krijojnë perspektiva të ndryshme për luftën që s’po i shihet askund fundi. Shumë njerëz që i kishin ndihmuar gazetarët e huaj, përfshirë edhe ata të “Der Spiegelit”, për të shtegtuar labirinteve e shtigjeve të rrezikshme të vendit, tashmë kanë vdekur. Pothuajse krejt gratë dhe burrat nga Qendra Mediatike në Homs janë vrarë.

Të njëjtin fat e ka pasur edhe prifti jezuit holandez, i cili kishte ndihmuar ekipin e gazetarëve gjermanë për të arritur në qytet më 2011. Dhe reporteri sirian i cili e kishte shoqëruar Reuterin për dy vite me radhë. Të tjerët janë në ekzil nga Berlini deri në Mauritani.

Të gjitha rrugët në vend janë bllokuar për Reuterin, duke e detyruar që informacione të sigurojë nëpërmjet aplikacioneve virtuale. “Së fundmi kam kontaktuar me njerëz nga mbarë vendi për t’i pyetur për shpresat e tyre për të ardhmen”, shkruan Reuter.

“Shpresojmë se turqit do të rrinë dhe shpresojmë se do të na aneksojnë tërësisht”, thekson një sirian nga Idlibi. “Shpresojmë të mbesin amerikanët”, thonë kurdët. “Shpresojmë se rusët do t’ua tregojnë muskujt iranianëve”, thotë një tjetër në Damask. Por. në fakt, askush nuk e zë ngoje Sirinë.

{gallery}