Botë

NYT: Serbia, vaksinuesja më e suksesshme e Evropës, pas Britanisë

Descriptive Text

“E njollosur për vite shkaku i rolit brutal në konfliktet e tmerrshme të Ballkanit gjatë viteve 90, Serbia tani është ndriçuar në shkëlqimin e suksesit të një lufte të mirë: betejës për t’i vaksinuar qytetarët”, e ka nisur të mërkurën shkrimin e saj për fushatën e suksesshme serbe të vaksinimit kundër COVID-19 e përditshmja amerikane “New York Times”.

Gazeta ka potencuar se Serbia në këtë rrafsh ka shkuar përtej vendeve larg më të kamura dhe rëndom më mirë të organizuara në Evropë, për t’u ofruar të gjithë qytetarëve të rritur jo vetëm injektime pa pagesë, por edhe një gamë të gjerë prej pesë vaksinash si opsione të zgjedhjes.

Për dallim prej saj, Bashkimi Evropian është përballur me goditje të njëpasnjëshme në sigurimin e dozave, si rrjedhojë e përplasjeve dhe strategjisë së pasuksesshme të shpërndarjes së vaksinës së “AstraZenecas”. Kjo strategji, sipas gazetës, ka “goditur murin” gjatë kësaj jave, pasi që shtetet kryesore anëtare të bllokut, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kanë pezulluar përdorimin e kësaj kure shkaku i shqetësimeve se ajo mund ta rris shkallën e mpiksjes së gjakut.

“Tejngopja e pazakontë e Serbisë me vaksina ka shërbyer si një triumf në rrafshin e marrëdhënieve publike për Qeverinë përherë më autoritare të presidentit, Aleksandar Vuçiq. E ka lëmuar sa reputacionin e tij po aq edhe të shtetit të tij, ka dobësuar kundërshtarët e tij veçse të kurthuar dhe i ka dhënë një kthesë të re gjeopolitikës komplekse të vaksinave”, ka shkruar “New York Times”.

“Një ditë do të më ngrini shtatore!”, ka cituar gazeta deklaratën e muajit të shkuar të Vuçiqit, me të cilën ai është kapardisur për sigurimin e furnizimeve të mjaftueshme me dozat pak të kushtueshme të vaksinës kineze.

Në vend të animit qoftë nga Perëndimi apo Lindja në përpjekje për të siguruar vaksina, “New York Times” ka shkruar se Serbia me popullatë prej më pak se 7 milionë banorësh ka vënë bast kudo, duke arritur fillimisht marrëveshje për më shumë se 11 milionë doza me Rusinë dhe Kinën, e më pas edhe kompanitë tjera perëndimore, prodhuese të vaksinave kundër COVID-19.