Botë

Kaos në Gjermani e Itali pas pezullimit të vaksinës së “AstraZenecas”

Kritikët në Gjermani kanë paralajmëruar se pauzimi në vaksinim mund t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme vendit të goditur tanimë nga ngecja e procesit të injektimit kundër sëmundjes pandemike

Kaosi dhe konfuzioni kanë mbizotëruar të martën në Gjermani dhe Itali, pas vendimit të këtyre dy shteteve evropiane për pezullimin e përdorimit të vaksinës anti-COVID-19 të prodhuesve “Oxford”-“AstraZeneca”, me ç’rast qendrat e vaksinimit kanë mbyllur dyert, ndërsa terminët e injektimit janë anuluar.

Këto janë dy prej vendeve më të mëdha në listën e zgjeruar të shteteve evropiane që kanë urdhëruar gjatë ditëve të fundit pauzimin e administrimit të vaksinës. Veprimi u ndërmor pas raportimit të disave rasteve në Gjermani me mpiksje të gjakut, përfshirë trombozën, mes personave që e kanë marrë këtë kurë. Tri prej këtyre rasteve kanë rezultuar me fatalitet. Në Itali, tetë persona kanë vdekur dhe katër të tjerë kanë pësuar “efekte të rënda anësore”, ka raportuar Nicola Magrini, shef i agjencisë italiane të ilaçeve “Aifa”.

Lituania, Luksemburgu, Danimarka, Rumania, Bullgaria, Norvegjia, Irlanda, Holanda, Franca dhe Suedia janë ndër shtetet e tjera që kanë ndërmarrë veprime të ngjashme.

Kritikët në Gjermani kanë paralajmëruar se pauzimi në vaksinim mund t’i shkaktojë dëme të konsiderueshme vendit të goditur tanimë nga ngecja e procesit të injektimit kundër sëmundjes pandemike.

Qendrat e vaksinimit përreth vendit janë detyruar që t’i mbyllin dyert, pas njoftimit të së hënës nga ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, pasi që trupi federal i rregullatorit shëndetësor, Instituti Paul Ehrlich (PEI) rekomandoi pezullimin e vaksinës shkaku i rasteve të koagulimit të gjakut mes marrësve.

Veprimi ka shtrënguar shumë qytetarë që t’i anulojnë terminët për vaksinim, ndërkaq ata që veçse e kanë marrë vaksinën kanë reaguar të shokuar. Çështja ka intensifikuar gjithashtu debatin rreth sigurisë së vaksinës së Oxfordit, e cila veçse ishte parë me mosbesim, pasi që autoritetet kishin vendosur javë më parë se ajo nuk duhet që t’u jepet grupmoshave mbi 65-vjeçare. Mirëpo, vendimi më vonë ishte zmbrapsur.

Përafërsisht 1.6 milionë gjermanë e kanë marrë deri më tani vaksinën e “AstraZenecas”. Kjo shifër përbën rreth 17 përqindëshin e numrit të përgjithshëm të vaksinave kundër COVID-19 të administruara deri më tani në këtë shtet. Teksa rastet e infektimit me koronavirus në Gjermani janë në ngritje dhe varianti i ri B117 (i njohur gjithashtu si varianti britanik) është tani përgjegjës për rreth 60 për qind të rasteve të reja, është shtuar theksueshëm presioni për përshpejtimin e procesit të vaksinimit.

Bazuar në rrethanat e reja, Qeveria në Berlin ka bërë të ditur se një samit mbi vaksinimin, i cili pritej që të mbahej të mërkurën, do të mbahet pasi që Agjencia Evropiane e Ilaçeve (EMA) të marrë vendim mbi çështjen gjatë së enjtes.

Mungesat e shfaqura në vaksina kanë ngritur gjithashtu gjasat që vaksina ruse “Sputnik V”, prodhuesit e së cilës kanë arritur marrëveshje të prodhimit në Itali, Gjermani, Francë dhe Spanjë, të bëhet pjesë më e rëndësishme e programit vendor të vaksinimit, sesa që ishte menduar më herët, kanë thënë ekspertët. Por kjo vaksinë është ende javë apo disa muaj kohë për aprovimin final të EMA-së.

Italia, ndërkaq, është mbërthyer nga zemërimi dhe konfuzioni, pasi që me mijëra terminë për vaksinim me “AstraZeneca” përnjëherë janë anuluar, duke e rënduar edhe më shumë procesin e vaksinimit të vendit në mesin e një vale të tretë të pandemisë. Deri më tani, rreth një milion qytetarë italianë kanë marrë dozën e parë të kësaj vaksine.

Përveç kësaj, Italia është goditur edhe nga shtimi i rasteve të reja të infeksionit. Vetëm gjatë së martës vendi ka regjistruar 20.396 të infektuar dhe 502 të vdekur nga COVID-19 – shkallë kjo më e lartë e fataliteteve që nga fundi i janarit.

Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza, ka thënë se shpreson që EMA-ja do t’ia japë dritën jeshile vazhdimit të përdorimit të kurës.

Reagimet në Francë kundruall vendimit të Qeverisë për pezullimin e administrimit të vaksinës së “AstraZenecas” kanë qenë më të heshtura. Alain Fischer, shef i programit të vaksinimit në këtë shtet, ka thënë se është “e arsyeshme” që agjencitë kombëtare të shëndetësisë të matura karshi ballafaqimit me incidente.