Botë

OBSH-ja u bënë thirrje shteteve të vazhdojnë ta përdorin AstraZenecan

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shtetet nuk duhet të ndalen së përdoruri vaksinën AstraZeneca kundër COVID-19.

Sipas OBSH-së, përdorimi i kësaj vaksine duhet të vazhdojë pavarësisht frikës që është përhapur për shkaktim të mpiksej së gjakut, gjë e cila sipas saj, nuk është vërtetuar se është e vërtetë.

Bullgaria, Danimarka dhe Norvegjia janë në mesin e shteteve të cilat e kanë suspenduar përkohësisht përdorimin e kësaj vaksine.

Mirëpo, OBSH-ja ka thënë sot se nuk ka lidhshmëri mes vaksinës dhe rrezikut për zhvillimin e mpiksjes së gjakut, raporton BBC.

Zëdhënësja e OBSH-së, Magaret Harris tha se Astra Zeneca është një “vaksinë e shkëlqyer” dhe shtetet duhet të vazhdojnë ta përdorin atë.

Deri më tani, rreth 5 milionë evropianë janë vaksinuar me këtë vaksinë. Ndërkohë janë paraqitur rreth 30 raste të mpiksjes së gjakut pasi është marrë vaksina. Po ashtu, është raportuar se në Itali një 50 vjeçar ka vdekur pasi i është krijuar tromboza e thellë e venave.

OBSH-ja ka thënë se është duke i hetuar këto raporte.