Botë

Partia e Merkelit nën ethet e skandalit me maskat

Descriptive Text

Ligjvënësi konservator, Mark Hauptmann, nga shteti lindor i Thuringias ka njoftuar të enjten Partinë Demokristiane (CDU) se do të heqë dorë nga vendi i tij në Parlament, pas pretendimeve se ka ndihmuar kontaktet e tij në Azerbajxhan me anë të prokurimit të marrëveshjes për maska mbrojtëse kundër COVID-19

Një zyrtar konservator është bërë të enjten ligjvënësi i tretë që ka dhënë dorëheqje brenda vetëm një jave nga grupi parlamentar i kancelares gjermane, Angela Merkel, lidhur me skandalin e prokurimit të maskave mbrojtëse nga COVID-19, duke i shkaktuar një goditje të rëndë partisë para votimeve rajonale të së dielës.

Zemërimi rreth skandalit e reflekton frustrimin e gjermanëve ndaj koalicionit konservator të udhëhequr nga Merkeli lidhur me shpërndarjen e ngadaltë të vaksinave kundër koronavirusit, si pasojë e mungesës së furnizimeve dhe burokracisë së tepruar. Si pasojë, mbështetja për konservatorët ka shënuar rënie të theksuar në shtetet Baden-Wuerttemberg dhe Rheinland-Palatinate, ku zgjedhjet e së dielës do të jenë një matës vendimtar i ndjenjave të qytetarëve para zgjedhjeve federale të shtatorit.

Mark Hauptmann nga shteti lindor i Thuringias ka njoftuar të enjten Partinë Demokristiane (CDU) se do të heqë dorë nga vendi i tij në Parlament, pas pretendimeve se ka ndihmuar kontaktet e tij në Azerbajxhan me anë të prokurimit.

I pyetur nga gazeta gjermane “DieWelt” nëse kishte ndërmjetësuar në arritjen e marrëveshjeve për maska në zonën e tij zgjedhore dhe nëse për këtë gjë kishte marrë komision, Hauptmann ka thënë se kishte ndihmuar, porse nuk kishte marrë ndonjë pagesë për këtë punë.

“As nuk kam qenë i përfshirë në aranzhim dhe as nuk kam marrë ndonjë komision për këtë”, ka thënë ai për gazetën.

Në mënyrë të ngjashme, Nikolas Loebel i CDU-së ka hequr dorë javën e kaluar nga ulësja e tij, ndërsa konservatori nga Bavaria, Georg Nuesslein, është tërhequr nga partia parlamentare. Që të dy ishin akuzuar se kanë marrë para për ndërmjetësimin e marrëveshjeve të prokurimit për maskat mbrojtëse nga COVID-19.

Duke iu ndrojtur thellimit të skandalit, grupet parlamentare të CDU-së dhe partisë së saj simotër nga Bavaria, CSU, kanë kërkuar që të gjithë ligjvënësit konservatorë të deklarojnë se nuk kanë përfituar prej aktiviteteve konsultuese apo të prokurimit, të ndërlidhura me pandeminë.

Një sondazh i kryer ditëve të fundit nga “Forsa” ka nxjerrë bllokun konservator me shkallë të mbështetjes prej 33 për qind, që është më e ulët se 40 për qind sa ishte në qershor, kur Merkeli ishte vënë në piedestal si rrjedhojë e lavdeve rreth mënyrës së saj të suksesshme në menaxhimin e krizës së koronavirusit, në fazën e parë të pandemisë. Merkeli ka bërë të ditur në shtator se nuk do të konkurrojë për një mandat të pestë si kancelare e Gjermanisë.

Megjithëkëtë, Gjermania aktualisht është duke u ballafaquar me një valë të tretë të infeksioneve. Rastet pozitive me COVID-19 kanë shënuar të enjten rritjen më të madhe brenda pesë javësh teksa shkalla e vaksinimit në vend ngec theksueshëm prapa vendeve si Britania e Madhe, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo gjë ka thelluar pakënaqësitë mes qytetarëve gjermane, duke rezultuar me rënien e mbështetjes për bllokun qeverisës.