Botë

Pentagoni e miraton vazhdimin e pranisë së Gardës Kombëtare në Capitol

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka miratuar zyrtarisht vazhdimin e pranisë së trupave të Gardës Kombëtare në Capitol edhe për dy muaj të tjerë, si pasojë e rrezikut të vazhdueshëm për dhunë.

Pentagoni ka konfirmuar se rreth 2 mijë e 300 trupa do të qëndrojnë në Washington deri më 23 maj.

Aktualisht, rreth 5 mijë e 100 trupa të Gardës Kombëtare ndodhen të stacionuara në Washington.

Pentagoni, ndërkaq, është zotuar që të bashkëpunojë me policinë e Capitolit për ta ulur numrin e trupave me kalimin e kohës.

Vendimi për mbetjen e pjesëtarëve të Gardës është marrë si pasojë e shqetësimeve për sigurinë, për shkak të sulmit të dy muajve më parë në Capitol nga mbështetësit e ish-presidentit Donald Trump.

Lidhur me ngjarjen e 6 janarit, autoritetet e rendit kanë vënë në mbajtje rreth 300 të dyshuar. Byroja Federale e Hetime, ndërkaq, ka publikuar të mërkurën pamjet e kamerave të sigurisë, në të cilat shihet një person teksa vendos dy bomba në një lagje të Washingtonit, një natë para ndërhyrjes në Capitol.

Me këto pamje, FBI-ja ka adresuar thirrje për ndihmë në identifikimin e të dyshuarit.