Botë

Një në tri gra në botë përballet me dhunë fizike ose seksuale

Descriptive Text

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e saj kanë gjetur në një studim të ri se gati një në tri gra në gjithë botën kanë përjetuar dhunë fizike apo seksuale në jetën e tyre. Rezultatet e këtij studimi i kanë quajtur të tmerrshme, e që kërkojnë veprime nga qeveritë dhe komunitetet.

Raporti i lëshuar nga OBSH-ja gjen se një e katërta e grave të reja që kanë qenë në një marrëdhënie kanë përjetuar dhunë nga partneri në kohën kur kanë arritur të 20-at.

Të dhënat nga periudha 2010-2018 nuk përfshijnë edhe ndikimin e pandemisë me COVID-19. Studimet kanë treguar një rritje të dhunës në familje kundër grave, ndërsa qeveritë kanë urdhëruar izolim dhe kufizime të tjera që kanë detyruar njerëzit të qëndrojnë nëpër shtëpi.

Studimi përfshinë të dhëna të mbledhura në 158 shtete dhe përpiqet të nxjerrë të dhënat nga dhuna e partnerëve ndaj grave dhe vajzave mbi 15 vjeç, ashtu si edhe nga dhuna seksuale nga ata që nuk janë partnerë.

“Rezultatet paraqesin një pamje të tmerrshme. Rreth 736 milionë gra – gati një në tri gra në botë – kanë përjetuar dhunë nga partneri, dhunë seksuale nga ata që nuk janë partnerë - ose nga të dy – të paktën një herë në jetë”, ka thënë drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ky është problem i vjetër, por ne mund ta ndryshojmë këtë. Të gjithë ne mund të ngremë zërin e të themi se dhuna ndaj grave nuk është asnjëherë e pranueshme”, tha ai.

Shefi i OBSH-së u bëri thirrje qeverive, individëve e komuniteteve që të ndihmojnë për të adresuar këtë problem, si përmes reformave të ligjeve diskriminuese, fuqizimi i të drejtave të grave, edukimi seksual, etj, shkruan AP.

OBSH-ja thotë se dhuna nga partnerët është forma më e përhapur e dhunës ndaj grave në botë deri tash, duke prekur rreth 641 milionë njerëz. Por, 6 për qind e grave që morën pjesë kanë raportuar se janë sulmuar seksualisht nga dikush tjetër përveç partnerit të tyre – dhe ky vlerësim besohet të jetë më i lartë por që për shkak të stigmës dhe mosraportimit të abuzimit seksual.