Botë

Dosja “top-sekret”: Vrasësit e Khashoggit përdorën aeroplanë të princit saudit

Dokumentet shpalosin se si pronësia e “Sky Prime Aviation” ishte urdhëruar që t’i transferohej fondit të pasurisë sovrane të vendit, me vlerë prej 400 miliardë dollarësh, në fund të vitit 2017. Fondi ishte në pronësi të princit të kurorës, Mohammed bin Salman. Ndërkaq aeroplanët e kompanisë janë përdorur për vrasjen e Khashoggit në tetor të 2018-s

Washington, 24 shkurt – Dy aeroplanët privatë, të përdorur nga skuadra e vrasjes së Arabisë Saudite që e vrau dhe ia gjymtoi kufomën gazetarit, Jamal Khashoggi, ishin në pronësi të një kompanie, që më pak se një vit më herët ishin sekuestruar nga princi i pushtetshëm i mbretërisë, Mohammed bin Salman, kanë treguar të mërkurën dokumentet gjyqësore, qasje në të cilat ka pasur agjencia amerikane CNN.

Dokumentet, të përpiluara në kuadër të një padie civile kanadeze në fillim të vitit, ishin klasifikuar si “top-sekret” dhe ishin nënshkruar nga një ministër saudit, i cili i kishte transmetuar urdhrat e princit të kurorës dhe de facto sunduesit të Arabisë Saudite.

“Sipas urdhrave të Lartmadhërisë së tij, Princit të Kurorës”, ka shkruar ministri, bazuar në përkthimin në anglishte, “menjëherë miratojeni kompletimin e procedurave të nevojshme për këtë”.

Dosjet shpalosin se si pronësia e “Sky Prime Aviation” ishte urdhëruar që t’i transferohej fondit të pasurisë sovrane të vendit, me vlerë prej 400 miliardë dollarësh, në fund të vitit 2017. Aeroplanët e kompanisë janë përdorur më pas në vrasjen e Khashoggit në tetor të 2018-s.

Fondi i pasurisë sovrane të Mbretërisë, i njohur si Fondi i Investimit Publik, kontrollohet nga kurora saudite dhe është në pronësi të princit të kurorës. Dokumentet që e krijojnë lidhjen midis aeroplanëve dhe princit ishin përpiluar nga një grup kompanish në pronësi të shtetit saudit, si pjesë e një padie për përvetësim të hapur muajin e shkuar në Kanada kundër ish-zyrtarit të lartë të Inteligjencës saudite, Saad Aljabri.

Akuzat për përvetësim kundër Aljabrit janë ngritur pas padisë, të cilën ai e ka paraqitur vitin e shkuar në Gjykatën e Qarkut në Washington kundër princit saudit. Aljabri kishte akuzuar princin për dërgimin e një ekipi me qëllim që ta vriste atë në Kanada, vetëm pak ditë pas ekzekutimit të Khashoggit.

Dëshmitë rreth bartjes së pronësisë mbi aeroplanët privatë te Fondi saudit nuk ishin raportuar më herët dhe ofrojnë një tjetër lidhje midis vdekjes së Khashoggit dhe princit.

Në tetor të 2018-s, jo shumë kohë pas vrasjes së Khashoggit, gazeta “Wall Street Journal” kishte raportuar, duke u bazuar në deklaratat e personave të informuar për rastin, se aeroplanët e “Gulfstream” ishin përdorur nga vrasësit që i përkisnin një kompanie të kontrolluar nga princi i kurorës.

“Do ta gjurmonim (kompaninë) dhe do të viheshim në dijeni se si është përdorur ajo”, ka thënë Dan Hoffman, ish-drejtor i CIA-s për divizionin e Lindjes së Mesme, duke aluduar në princin e pushtetshëm. “Kjo është vetëm një tjetër dëshmi potenciale se ai ishte i njoftuar me këtë. Ishte besuar përherë se kështu ishte. Ama kjo është një dëshmi shtesë”.

Që nga e enjtja, komuniteti i inteligjencës në SHBA pritet që ta publikojë raportin e shumëpritur me hollësi lidhur me personat që qëndrojnë prapa vrasjes së Khashoggit.

Jo shumë kohë pas ekzekutimit të gazetarit në Konsullatën saudite në Stamboll, CIA kishte vlerësuar me besim të thellë se princi i kurorës e kishte urdhëruar personalisht vrasjen, por zyrtarët e Inteligjencës kurrë nuk kanë folur publikisht apo kanë ofruar dëshmi lidhur me këtë.

Një hetues i OKB-së kishte pretenduar në qershor të 2019-s se është “e pakonceptueshme” që princi nuk ka qenë në dijeni të operacionit.

Zyrtarët sauditë në Washington dhe Riad nuk u janë përgjigjur kërkesave për t’i komentuar zbulimet e reja.

Salman ka mohuar vazhdimisht ta ketë urdhëruar vrasjen e gazetarit të “Washington Postit”, por ka thënë se e bart përgjegjësinë për këtë. Tetë të dyshuar janë dënuar me burgim, në atë që hetuesi i OKB-së e ka quajtur “një parodi prej drejtësie”.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka thënë javën e kaluar se presidenti, Joe Biden, është duke punuar në “rikalibrimin” e marrëdhënies së SHBA-së me Arabinë Saudite, dhe se planifikon të komunikojë me mbretin saudit, Salman bin Abdulaziz Al-Saud, në vend se me të birin e tij. Në fuqizimin e dëshmisë, dokumentet që e urdhërojnë transferimin e pronësisë së “Sky Prime Aviation” në dhjetorin e 2017-s e përfshijnë vulën me drurin e palmës të Mbretërisë saudite, si dhe fjalët “TOP-SEKRET – JO PËR QARKULLIM DHE SHUMË URGJENT”.

Image