Botë

Dozat e para të vaksinës përmes Covax-it shpërndahen në shtetin e Ganës

Gana është bërë shteti i parë në botë që ka pranuar vaksina kundër koronavirusit, përmes iniciativës “COVAX”.

Programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka për synim të sigurojë që vaksinat po ndahen në mënyrë të barabartë tek të gjitha kombet, raporton BBC.

“COVAX” po synon të shpërndajë deri në 2 miliardë doza të vaksinës kundër COVID-19, deri në fund të këtij viti.

Rreth 600 mijë doza të vaksinës të AstraZenecas dhe të Universitetit të Oksfordit kanë arritur sot në kryeqytetin e Ganas, Accra.

Përmes një komunikate për media, OBSH-ja dhe UNICEF-i kanë njoftuar se ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë.

“Arritja vaksinave kundër COVID-19 në Gana është shumë e rëndësishme për ta përfunduar pandeminë”, thuhet në deklaratë.

Gana, shtet në Afrikën Perëndimore ka shënuar më shumë se 80 mijë e 700 raste me koronavirus dhe 580 vdekje deri më tani, që nga fillimi i pandemisë.