Botë

“Aparteidi i vaksinave”

Për të shmangur përsëritjen e grackave të krizës me HIV/AIDS-in, qeveritë dhe Organizata Botërore e Tregtisë duhet ta shndërrojnë vaksinimin kundër COVID-19 në një të mirë publike, duke i lehtësuar përkohësisht të drejtat e pronësisë intelektuale dhe prodhimin e nevojshëm emergjent

Washington, 24 shkurt – Është bërë më shumë se një vit qyshkur Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli sëmundjen COVID-19 një emergjencë të shëndetit publik. Pavarësisht zotimeve për solidaritet dhe bashkëpunimit të ndërsjellë nga liderët botërorë dhe prodhuesve e ilaçeve më 2020, frika më e madhe e akëcilit për mungesën e solidaritetit të përnjëmendtë në kohë krize shëndetësore është materializuar.

Globalisht, rreth 100 milionë persona janë sëmurë nga COVID-19 dhe mbi 2 milionë kanë vdekur. Shkaku i faktorëve të shumëfishtë politikë, bota tani ballafaqohet me mundësinë shumë reale për të mos e arritur imunizimin global të popullatës në kohë të shpejtë – teksa variantet e reja të virusit po shfaqen gjithmbarshëm, duke i rënduar sistemet shëndetësore, duke rrezikuar jetën dhe jetesën kudo.

“Dhe, megjithëkëtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të kamura po i fillojnë përpjekjet për t’i vënë epidemitë e tyre nën kontroll nëpërmjet vaksinave skajshmërisht efikase, derisa Afrika deri më tani ka qasje fare të ulët në vaksinat kundër COVID-19”, ka shkruar revista politike amerikane “Foreign Policy” në një analizë të saj.

Kjo gjë, sipas gazetës, i ngjason epidemisë së HIV/AIDS-it, si dhe krizës për të pasur qasje në vitet 1990 dhe 2000, teksa diagnostikimi dhe mjetet terapeutike për shpëtimin e miliona jetëve veçse ekzistonin.

Image

“Të kamurit së pari”

Këtë muaj Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se globalisht, numri i vaksinimeve kundër COVID-19 ka kapërcyer shifrën e infeksioneve të raportuara. Por, sipas organizatës, “më shumë se tri e katërta e të vaksinuarve janë në 10 vendet që numërojnë pothuajse 60- përqindëshin e GDP-së globale”.

Rreth 130 shtete, që numërojnë mbi 2.5 miliardë banorë, ende janë në pritje të një doze të vetme të kurës, derisa OBSH-ja ka raportuar se “disa vende veçse kanë vaksinuar hise të mëdha të popullatave me shkallë të ulët rrezikshmërie nga sëmundja e rëndë apo vdekja”.

Ky nacionalizëm i vaksinave, sipas analizës së “Foreign Policy”, do të rezultojë në shumë shtete pa qasje të gjithmbarshme në vaksina deri në vitin 2022 apo madje 2023, duke e prolonguar pandeminë dhe duke shkaktuar potencialisht më shumë se 9.2 trilionë dollarë humbje ekonomike në botë.

COVAX, partneriteti publiko-privat i krijuar për t’u siguruar vaksina vendeve të varfra, udhëhiqet nga Gavi, Aleanca për Vaksinë – një fondacion ky privat. Gavi ka vënë në pah se vetëm 27 për qind e popullatave më të cenueshme të botës së zhvilluar pritet që të përfitojnë nga vaksinat e COVAX-it deri në fund të vitit 2021.

Asnjë vend i pasur nuk do ta pranonte faktin që vetëm 27 për qind e popullatës së tyre të përfitonte nga mekanizmi i vaksinimit.

“Një formë e dëmshme e ‘aparteidit të vaksinave’ kësisoj është shfaqur – e karakterizuar me anë të prioritizimit të qasjes për vendet e kamura dhe një grup njerëzish, kryesisht bazuar në pasuri dhe gjeografi, dhe, si rrjedhojë, duke rezultuar me krizën më të rëndë, të vetëshkaktuar të furnizimit global”, ka shkruar revista politike.

Image

Përsëritje tragjike e pandemisë së AIDS-it

Kriza e sotme është përsëritje tragjike e viteve të para të pandemisë së AIDS-it, e cila është karakterizuar nga mungesa e shpërndarjes së barabartë të ilaçeve, në atë që ka shkaktuar vdekje e vuajtje të pashmangshme.

Lëvizjet për qasje të sigurt në ilaçe gjatë vitet 1990 dhe 2000 në vendet si Brazili, India, Afrika e Jugut e Tajlanda kishin nxitur konfrontime me udhëheqësit lokalë dhe globalë, si dhe me korporatat shumëkombëshe.

“Bota nuk duhet t’i bëjë gabimet e njëjta sikurse në krizën e AIDS-it”, ka sugjeruar “Foreign Policy”.

Pjesa dërrmuese e vendeve të pasura i kanë rezervuar dhe porositur dozat e kurës kundër koronavirusit nga kompanitë farmaceutike, gjithashtu edhe nga COVAX-i, gjë kjo që ka shkaktuar kufizim të shpërndarjes tek vendet afrikane.

Kontratat e njëanshme dhe rëndom jotransparente janë goxha të ngjashme me pabarazitë në qasje për ilaçe që trajtuan HIV-in në vitet ’90 e 2000.

Sipas revistës, ngjashëm sikurse me HIV/AIDS-in, monopolet e patentimit janë duke përcaktuar se cilat vende do të kenë qasje në vaksina, cilat kompani do të prodhojnë doza, cilat rajone do të kenë prioritet dhe cilat popullata do të përfitojnë së pari.

Pavarësisht zotimeve fillestare të solidaritetit global, nacionalizimi i vaksinave është rrezik kyç për imunizimin e tufës. Ky nacionalizim është duke u manifestuar në tri mënyra: nëpërmjet marrëveshjeve të një vendi të vetëm apo atyre rajonale, bllokimeve të eksportimit dhe refuzimit për ta detyruar ngritjen e prodhimit përtej disa kompanive dhe sa për përfitim të disa vendeve specifike.

Kriza e dozave të vaksinës ka shpërfaqur arsyen pse qasja nuk është e drejtë apo e përshtatshme – nga ana ekonomike e mjekësore – gjatë kësaj pandemie dhe të tjerave në të ardhmen. Në pyetje, sipas “FP”-së, është edhe frika se nëse marrëveshjet lidhur me vaksinat e COVID-19 kanë sukses, kësisoj do të hapen dyer për lehtësim të pjesshëm të politikave të patentimit, të cilat do ta vendosin një precedent për pandemitë e ardhshme.

Kërkesa aktuale e vendeve si Afrika e Jugut dhe India për të arritur marrëveshje në kuadër të aspekteve të lidhura me tregtinë dhe të drejtat intelektuale të pronësisë i ka rrënjët në ato që kanë ndodhur 20 vjet më parë, gjatë epidemisë së HIV/AIDS-it në shtetin afrikan, në kohën kur ilaçet gjenerike për trajtim, të prodhuara në vendet ku patentat nuk e bllokonin prodhimin, kishin filluar të shpëtonin miliona jetë njerëzish.

Asokohe, shumë grupe të të drejtave të njeriut dhe komuniteti mjekësor i qasjes kishin luftuar fort për hapjen e mundësisë për përdorimin e masave të kundërbesimit, avokimit dhe fushatave sfiduese të patentave.

“Në fund, aftësia e prodhuesve të ilaçeve gjenerike për t’i futur vendet me të ardhura të ulëta, me shifra të larta të HIV-it, ka qenë një ndryshues loje”, ka shkruar “Foreign Policy”.

Duke mos pasur tani këtë lloj marrëveshjeje, vendeve do t’u kërkohet që të ndërmarrin veprime individuale dhe masa ligjore gjatë ballafaqimeve me një pandemi.

Për të shmangur përsëritjen e grackave të krizës me HIV/AIDS-in, qeveritë dhe Organizata Botërore e Tregtisë duhet ta shndërrojnë vaksinimin kundër COVID-19 në një të mirë publike, duke i lehtësuar përkohësisht të drejtat e pronësisë intelektuale dhe prodhimin e nevojshëm emergjent.

Për këtë arsye, thuhet në analizën e revistës amerikane, kjo lloj marrëveshjeje është e rëndësishme. Mirëpo edhe të gjitha mjetet dhe teknologjitë shëndetësore kundër COVID-19 duhet të trajtohen si të mira publike globale, të liruara nga pengesat që i vënë patentat e veprimet e tjera intelektuale ttë trajtohen si të mira publike globale, të liruara nga pengesat që i vënë patentat e veprimet e tjera intelektuale të pronësisë.